Agroturizmi po kthehet nga viti në vit në një nga sektorët më të rëndësishëm në vend për ndikimin në ekonominë lokale.
Si kombinim elastik mes turizmit dhe bujqësisë, formula e agroturizmit ka rezultuar e suksesshme, duke garantuar treg të sigurt për fermerët e zonave rurale, zbutje të varfërisë për familjet e angazhuara në punët e brendshme apo të zinxhirit të furnizimit në këto njësi.
Altin Prenga, nga “Mrizi i Zanave”, thekson se frekuentimi në vitin 2022 ishte i lartë, por problematikë mbetet largimi i rinisë. Sipas tij, fshati duhet të mbështetet për të ndalur hemorragjinë e emigrimit që ka vijuar pa ndalim.
“Në zonat rurale, pak a shumë ajo që ka lëvizur, është rinia. Prej vitesh, ne kemi marrëdhënie me banorët rreth zonës ku ndodhemi dhe e kemi të konsoliduar zinxhirin.
Furnitorët e qumështit i kemi të njëjtë dhe është një marrëdhënie nga e cila përfitojmë të dyja palët. Nëse ka korrektesë në mes, blegtorët dhe bujqësia nuk e ndërpresin punën.
Dëgjoj sot në treg që ka mungesë qumështi dhe ky është realitet, pasi edhe çmimi është rritur. Edhe ne vetë e kemi rritur çmimin prej kostove, por duhet që të funksionojnë siç duhet marrëdhëniet, që të ketë interes të mos braktiset fshati dhe puna” nënvizon ai.
Fokusi, sipas z. Prenga, duhet të jetë produkti që cilësohet një forcë e jashtëzakonshme për ekonominë rurale.
Fundim Gjepali, nga agroturizëm “Gjepali” e vlerëson rritjen e numrit të agroturizmeve si një mënyrë për të shpëtuar fshatin.
“Interesi për t’u afruar me fshatin është tej mase i lartë. Janë hapur një numër i lartë agroturizmesh, por mendoj se ende ka vend për të gjithë, mjaft që të respektohet ajo çfarë quhet realisht agroturizëm dhe të shërbehet me cilësi.
Çdo agroturizëm që hapet mendoj se shpëton një fshat, janë banorë që mund të bëhen pjesë tërësore e këtij sektori, duke gjetur një treg të sigurt, por edhe një marrëdhënie afatgjatë”, thotë ai.
Por teksa numri i njësive agroturistike rritet, ka nga ata që e shohin se tashmë po afron koha e përzgjedhjes.
Kjo do të thotë se ata që nuk bëhen krijues dhe origjinalë, por kopje të njëri-tjetrit, do të kalojnë në sitën e klientëve, duke mos u përzgjedhur. Flori Uka nga “Uka Farm”, mendon se kjo është faza e radhës në sektor.
“Po hapen shumë të vetëquajtur agroturizme, të cilët nuk i përmbushin të gjitha kërkesat që duhet të ketë një njësi e tillë. Jam i bindur se ashtu siç po hapen shumë, do të mbyllen shumë, në një kohë të shkurtër”, – shprehet ai.
Viti 2023, mes luhatjesh dhe pritshmërish të ndryshme
Në tërësi, ecuria e sektorit të agroturizmit në vitin 2023 parashikohet të jetë e mirë nga operatorët e tregut. Sipas tyre, kjo lidhet me ecurinë e mirë të sektorit të turizmit, ku numri i vizitorëve në vitin 2022 shënoi tjetër rekord, duke u bërë viti më i mirë historik.
“Ne shpresojmë të mbajmë ritmin e vitit 2022, nuk duam asgjë më shumë. Mendoj që për sa i përket turizmit të jashtëm, pavarësisht inflacionit në rritje, do të kemi shifra pozitive, sepse është rikthyer vëmendja për udhëtime pas pandemisë.
Trendi është në rritje. Sa u takon shqiptarëve janë pakësuar disi për një sërë arsyesh, duke nisur nga kostoja e jetesës e deri te largimi masiv”, shprehet z. Prenga.
Rezervimet për vitin 2023 në agroturizme kanë nisur që tani, madje muajt e verës kanë jo pak vëmendje.
“E parashikoj një vit shumë të mirë, të paktën këtë përshtypje kam krijuar nga rezervimet për evente që nuk i kemi pasur më parë prej pandemisë.
Dhomat i kemi të rezervuara në muajin gusht 2023 që tani. Ka shumë pak hapësirë dhe rezervimet janë si nga të huajt, edhe nga shqiptarët. Fshati ka ende kosto të ulët për fjetje, produkte, ofron cilësi”, shprehet z. Gjepali.
Pasiguria që ka përfshirë në tërësi ekonominë globale ka rritur edhe numrin e skeptikëve, të cilët nuk duan të nxitojnë në parashikime pozitive.
“Mendoj se në vitin 2023, situata do të përkeqësohet, në kuptimin që kriza do të ndihet më shumë.
Është një efekt zinxhir i të gjithave që nisi me çmimet dhe lëndët e para, u përkeqësua më shumë nga energjia dhe tashmë mendoj se do të godasë, edhe një herë më fort, po me lëndët e para”, nënvizon Flori Uka.
Vera përballë pasigurisë
Kantinat e verës përjetuan në vitin 2022 një ecuri pozitive të aktivitetit të tyre.
Prodhimi i rrushit e për rrjedhojë, edhe i verës, nga operatorët të tregut, cilësohet ndoshta si një ndër më të mirët, ndërkohë që edhe shitjet nën efektin e turizmit kanë qenë të kënaqshme.
Rigers Kaçori nga Kantina Arbëri, shprehet se ndikimi i turizmit shihet qartë nga turet në kantinë, ku numri i vizitorëve ka qenë në rritje.
“Rritja e numrit të turistëve është reflektuar edhe në rritjen e tureve në Kantinën Arbëri. Nëse do ta krahasoja me vitin 2021, këtë vit, numri i turistëve të huaj është rritur me 4-5%, kryesisht nga Europa.
Vizitat kanë qenë të programuara, kjo pasi një turist i huaj është tërhequr jo vetëm të vizitojë Shqipërinë, por gjithashtu të eksplorojë varietetet autoktone të prodhimit të verës.
Shitjet tona kanë qenë të kënaqshme në zonat bregdetare në Jug dhe Veri. Përgjithësisht, bashkëpunimi me hotelet dhe restorantet në këto zona gjatë sezonit të verës ka shifra pozitive”, – shprehet z. Kaçorri.
Kureshtja e të huajve për prodhimin shqiptar u jep mundësinë kantinave që nga maji në tetor të kenë më shumë konsum. Muharrem Çobo, nga Kantina Çobo, e cilëson turizmin oksigjen për industrinë shqiptare të verës.
“Sigurisht, i referohem asaj që kam parë te kantina jonë, ku në vitin 2019, ne kemi pasur 12 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit, edhe pse s’kemi nxjerrë ende një shifër finale, mendoj se është diçka më pak, ose aty-aty.
Ajo që theksoj vazhdimisht është fakti se suksesi i produkteve shqiptare janë të huajt. Pjesa dërmuese e shqiptarëve ende vazhdojnë të kenë paragjykime për ‘Made in Albania’.
Ndaj për aq kohë sa ka turistë të huaj, kantinat shqiptare kanë oksigjen. Në momentin që mungojnë ata, ne e vuajmë këtë gjë.
Dhe për të kuptuar situatën, na shërbeu pandemia, kur u përfshimë në kufizime dhe nuk kishim turistë të huaj”, – pohon z. Çobo.
Viti 2023? Sytë te turizmi, por sfidat nuk do të mungojnë
Kantinat e verës presin që nëse nuk do të ketë zhvillime të papritura negative siç ishin tërmeti, pandemia e më pas lufta Rusi-Ukrainë, viti 2023 të jetë një vit i mirë nën efektin e pritshmërive pozitive të turizmit.
“Nëse s’do kemi ndonjë ngjarje tjetër, siç ishte pandemia apo lufta, e shoh me optimizëm. Turizmin me të gjithë problematikat që mund të ketë, e shoh në rritje për shumë arsye.
E para, sepse Shqipëria për mua është vendi më i bukur në botë, sa i takon klimës, natyrës dhe elemente të tjera të lidhura me to. Ofron trashëgimi dhe larmi elementesh të krahinave të ndryshme.
Njerëzit janë ende mikpritës dhe nuk i kanë humbur zakonet dhe turistët i vlerësojnë këto elemente.
Për ne mbetet sfidë mungesa e personelit. Nuk e kisha menduar kurrë që në Shqipëri do të arrinim te ky problem, mbetet një çështje që nuk e di sesi do të zgjidhet. Kështu siç jemi ende, mund ta përballojmë, por çështja do të jetë nëse do duam të rritemi dhe të investojmë.
Për shembull, unë kam një projekt të madh të integruar me kantinën në aspektin turistik dhe tani s’po më tremb më mospasja e punës, por mungesa e personelit” nënvizon z. Çobo.
Ndërkohë Rigers Kaçorri, nga Kantina Arbëri, e sheh 2023 si një vit me sfida, ku disa prej tyre mund të shkojnë përtej dimensioneve lokale dhe kërkojnë më shumë vëmendje.
“Parashikojmë sfida ekonomike, të cilat nuk varen vetëm nga politikat e vendit tonë, por edhe ato ndërkombëtare. Një sfidë që do të doja t’i jepja vëmendje lidhet me ndryshimet klimatike, të cilat po sjellin efekte negative në industrinë e verës.
Ndryshimet drastike të temperaturës përcaktojnë se cilat varietete rrushi mund të rriten, si dhe formësojnë cilësinë dhe rendimentin e lëndës së parë produktit rrush.
Fenomeni i ngrohjes globale dhe efektet në këtë industri janë bërë temë diskutimi nga shumë specialistë të fushës, të cilët hulumtojnë më gjerë mbi këtë problematikë.
Do të doja të risillja një koment, të një profesori në Universitetin e Linfield, Oregon, i cili shprehet se ‘rritja e temperaturave ka ndryshuar jo vetëm karakteristikat e rrushit, por edhe kohën e pjekjes së tij apo sezonin kur është gati për t’u vjelë.
Çdo vit, është identifikuar rritje e nivelit të sheqerit dhe janë prodhuar verëra pak më të larta me alkool dhe për këtë arsye, stilet e verës kanë ndryshuar’.
Të gjitha këto ndryshime sigurisht do të vënë në pikëpyetje të ardhmen e prodhimit të verës, pasi do të ndikojnë në kostot e prodhimit, të ardhurat dhe fitimet e prodhuesve të verës, të cilët duhet të gjejnë strategji të menaxhimit të rrezikut dhe të përshtatin biznesin e tyre të prodhimit të verës për një botë më të ngrohtë.
Një tjetër pritshmëri për ne si prodhues vere është edhe hartimi i një ligji të ri të verës dhe vreshtarisë, të cilin urojmë t’i japë fokus dhe mbështetje prodhimit të verës shqiptare” – thekson z. Kaçorri./MONITOR