Dy të akuzuarit për aferën me inceneratorin e Elbasanit janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK pas kontrolleve që Policia e Shtetit ka bërë brenda vendit nuk janë gjetur.
Dy pronarët e kompanive të lidhura me inceneratorët, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto dyshohet se mund të jenë larguar nga Shqipëria. Ndaj tyre GJKKO ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është arrestuar për këtë aferë. Ndërkohë që pak ditë më parë SPAK vendosi nën sekuestro inceneratorin e Elbasanit dhe po vijon hetimet për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimeve të paligjshme.
Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kallëzimit penal të subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, ka zhvilluar hetime për procedimin penal nr.277 viti 2020, që bën fjalë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 248, 245, 260 dhe neni 287, gërmat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.
Së pari, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me nenet 5, 6, 7, 8, 13, 14/1, 26 të V.K.M nr.575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, me kreun II, pika 2/c, të V.K.M-së nr.1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar.
Së dyti, nga hetimet është provuar gjithashtu fakti se nuk është është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncesionit, në kundërshtim me parashikimet e nenit 22 të ligjit nr.125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncesionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Në rastin konkret, në procedurën e ndjekur për dhënien e koncesionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat:
i) procedura e hapur;
- ii) procedura e kufizuar; ose
iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore janë kryer nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me shtetasin L.K, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit. Veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë personit juridik “Albtek Energy” sh.p.k. përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. Ministri i Mjedisit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka qenë personi përgjegjës për prokurimin e fondeve publike, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizimin në përputhje me ligjin të procedurës së koncesionit.
Së treti, nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).
Gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.
Shtetasja S.G., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi K.Z., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Bazuar në argumentet e mësipërme, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 i Kodit Penal.
Po kështu, bazuar në argumentet e mësipërme dhe duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi L.K. ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 e 25, 260 dhe 287/2 të Kodit Penal.