Një ngjarje e rëndë është raportuar në qytetin e Gjirokastrës, ku një 17-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur dhe më pas është arratisur drejt Greqisë.
Sipas të dhënave zyrtare, i riu, banues në lagjen Zinxhira, dyshohet se ka kryer abuzimin ndaj një 10-vjeçari në prani të dy fëmijëve të tjerë të mitur, të moshës 9 dhe 10 vjeç. Rasti është referuar në Prokurori nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër referuar materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim një 17-vjeçar, banues në lagjen Zinxhira, pasi dyshohet se ky shtetas në prani të 2 shtetasve të tjerë të mitur, të moshës 9 dhe 10 vjeç, dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një 10-vjeçar”, njofton policia.
Sipas policisë, 17-vjeçari është larguar në drejtim të shtetit grek përpara se prindërit e të miturit të paraqiteshin në ambientet e Policisë për të bërë kallëzimin.
“17-vjeçari është larguar në drejtim të shtetit Grek, para se 10-vjeçari dhe prindërit e tij, të vinin në ambientet e Policisë për të bërë kallëzim”, thuhet më tej në njoftim.
Të miturit janë intervistuar në prani të një psikologeje, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.








