Me gjithë sasinë marramendëse të gjobave dhe arrestimeve që ka kryer Policia Rrugore këtë vit, asnjë efekt nuk kanë pasur masat shtrënguese, në një kohë që rrugët e vendit janë “larë” në gjak.
Referuar të dhënave të fundit zyrtare për 10 muajt e këtij viti, bilanci rezulton të jetë tragjik sa i përket jetëve të humbura në aksidentet rrugore.
Sipas të dhënave nga INSTAT-i, gjatë 10-mujorit 2020, humben jetën në aksidentet rrugore 153 persona në të gjithë vendin, shumica e të cilëve ishin të rinj.
Vetëm në muajin tetor humbën jetën 25 persona, prej të cilëve 23 ishin meshkuj dhe dy femra.
Gjatë 2020-ës u numëruan 108 aksidente rrugore nga 118 të ndodhura në muajin tetor të vitit 2019, duke e ulur me 8,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet
Në 10-mujorin e vitit 2020, numërohen plot 1011 aksidente rrugore nga 1254 aksidente të ndodhura në 10-mujorin e vitit 2019, duke u ulur me 19,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë tetorit të këtij viti, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 148 persona nga 143 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 3,5%. Numri i të aksidentuarve në 10mujorin e vitit 2020, është 1312 persona nga 1713 persona, duke u ulur me 23,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në muajin tetor 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 15 persona nga 25 persona të vdekur në tetorin e vitit 2019.
Në tetor 2020, aksidentet rrugore, në 85,2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së gabuar të drejtuesit të mjetit.
Kush i kryejnë aksidentet
Duket disi e çuditshme por të rinjtë që duhet të jenë edhe më të zhdërvjelltë në timon, janë në fakt ata që bëjnë më shumë aksidente dhe gabime në drejtimin e automjeteve.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 29,6% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 18,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë,.
Në 10-mujorin e vitit 2020, aksidentet rrugore, në 14,1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së gabuar të këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 21%, krahasuar me një vit më parë.
Numri më i madh i fataliteteve nga aksidentet në rrugë ndodhi në qytete e mëdha, si në Tiranës, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Fier, si rrjedhojë e përqendrimit të lartë të popullsisë dhe dendësisë së automjeteve.
Shqipëria renditet ndër vendet më numrin më të larta të fataliteteve nga aksidentet rrugore në Rajon dhe Europë. Një strategji e hartuar katër vite më parë, për reduktimin e humbjeve të njerëzve në rrugë nuk ka arritur objektivat.
/Burimi: INSTAT/GazetaReforma.com/