Ndërkohë që vendi po përballet me valën e tretë shkatërruese të pandemisë, ajo që vihet në dyshim është gatishmëria e vendit tonë në mjekë, infermierë dhe shtretër në spitale.
Të njohur jemi dhe me “eksodin e mjekëve” drejt Gjermanisë dhe Europës. Nëse iu referohemi shifrave, çdo vit nga Shqipëria ikin 150 specialistë, krahasuar me numrin e popullsisë, është një shifër e konsiderueshme.
Sa i përket gjendjes aktuale të spitaleve nëpër qytete, gjendja paraqitet shqetësuese. Spitali i Shkodrës ishte ndër të parët në vend për të infektuarit e Covid-19.
Në shërbim të tyre janë një numër mjaft i vogël mjekësh krahasuar me 250 mijë banorë që ka qarku. Pra janë vetëm 4 infeksionistë, 3 pneumologë dhe 4 reanimatorë.
Nëse marrim një qytet tjetër siç është ai Lezhës, stafi mjekësor ka dhjetë vite që nuk ndryshon. Gjithsej në këtë spital janë 1 mjek infeksionist, 2 peneumologë, një reanimator dhe 5 infermierë. Sa i përket skenarit të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, ky staf do të përballet me pavionin me 16 shtretër, ku do të trajtohen të sëmurët me Covid.
Ndërkohë Elbasani është një ndër qarqet më të mëdha në vend dhe ka një popullsi prej 450 mijë banorësh. Sipas shifrave të publikuara nga abc.news, prej kohësh në këtë spital nuk ka pasur asnjë mjek pneumolog. I fundit u punësua pak ditë më parë.
Sa i përket pavionit të infektivit në Lezhë, ku vlen të përmendet se rastet e infektimve por rriten, janë 81 shtretër, ku në disposicion janë vetëm një mjek dhe 12 infermierë.
Në Durrës prej disa ditësh pavioni i dedikuar për të infektuarit me Covid po pret pacientë në gjendje të rënduar. Aktualisht janë 55 persona të shtruar.
Pjesë e trupës mjekësore që po trajton të infektuarit me Covid në Durrës, janë 7 reanimatore, 2 infeksioniste dhe 3 pneumologë.
Ndërkohë në spitalin e Fierit janë përshtatur dy ambiente për të pritur të infektuarit me Covid. Ata do të trajtohen nga një staf i kufizuar mjekësh, nga një infeksionist, 3 pneumologë, 3 reanimatorë dhe 70 infermier. Ndërsa po bëhen gati 70 shtretër të dedikuar për të prekurit e mundshëm nga Covid.
Edhe në Vlorë është bërë gati një pavion për të prekurit me Covid me 80 shtretër.
Ky spital numëron 83 mjekë të specialiteve të ndryshme. Nga të cilët 3 infeksionistë, 3 pneumologë dhe 4 reanimatorë. Fillimisht këtyre pacientëve do t’ju shërbejnë 20 infermierë.
Pavarësisht shifrave që në dukje janë të ulëta, një tjetër problematikë që po përballet sistemi shëndetësor janë dhe mungesa e vaksinimit. Vetëm 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë dy infermierë.
Në planin Kombëtar të paraqitur nga Qeveria, grupi i parë i atyre që do të vaksionoheshin ishin mjekët, por deri më tani një përqindje shumë e vogël kanë arritur të marrin dozat e nevojshme anti-covid. Kjo tregon dhe sa gati është shëndetësia jonë për tu përballur me 1000 infektime dhe gati 20 vdekje në ditë.