Kryetare e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, Ermonela Felaj, e pyetur për plotësimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, të cilat për shkak të Vetingut mbetën pa gjyqtarë, u shpreh se “ka një formulë ligjore e kushtetuese për konstituimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë”.
“Lajmi i mirë është që Gjykata Kushtetuese, për momentin është plotësuar me shtatë anëtarë dhe ka shumicën e nevojshme për vendimmarrje dhe nuk besoj se do ketë të tjera pengesa për plotësimin e numrit të plotë të kësaj gjykate dhe për plotësimin e plotë në Gjykatën e Lartë që është një trup që zgjidhet përmes Këshillit të Lartë Gjyqësorë. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti me propozim të KLGJ me një mandat 9 vjet. Të dyja këto Gjykata, janë hallka më e lartë e ushtrimit të pushtetit gjyqësor. Edhe vendimet e kësaj gjykate duhet të botohen sipas Kushtetutës”,- tha Felaj.
“Pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht shkopinjve nën rrota që i’u vu ecurisë së këtij procesi të rëndësishëm, këtu e kam fjalën për procesin e Vetingut që përbën dhe thelbin e reformës në drejtësi, kjo reformë ia ka arritur të ecë. Organet kryesore të qeverisjes së pushtetit gjyqësorë janë të konstituuar tashmë dhe kanë krijuar një praktikë të mirë pune, flas për KLP dhe KLGJ. U konstituua dhe ILD dhe jemi drejt të konstituimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, një nga institucionet më të rëndësishëm në vend, si garanti kryesor i Kushtetutës dhe garanti kryesorë që ligjet të jenë në respekt të frymës dhe germave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”,- shtoi Felaj
“Plotësimi i këtyre dy gjykatave, në numrin e plotë të anëtarëve të tyre është një fakt mjaft domethënës, sepse shënon funksiononin e plotë të dy gjykatave më të rëndësishme në vend, njëra si mbrojtëse e garante i Kushtetutës dhe tjetra si hallka më e lartë e pushtetit gjyqësorit, apo e përballjes së individëve apo institucioneve shtetërore. Vendimet e Gjykatës së Lartë janë vendime të formës së prerë, përfundimtare, dhe të detyrueshme për zbatim si nga ana e individëve apo institucioneve në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Ndërkohë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime që kanë forcën e ligjit dhe botohen në fletoren zyrtare”,- sqaron ajo.