Kontrata e blerjes së koncesionit të Aeroportit të Rinasit nga Grupi “Kastrati” është dorëzuar tek Autoriteti i Konkurrencës për të marrë vulën përfundimtare. Transaksioni është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe “Kastrati group” është aksioneri 100% i “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin. Kompania shqiptare i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”.
Kontrata e shitjes mban datën 1 dhjetor 2020 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor 2020. Sipas kontratës, grupi Kastrati do të paguajë 71 milionë euro përmes dy pagesave.
Afati i koncesionit
Në prill 2016, u bë amendimi i kontratës së koncesionit që caktonte zgjatjen e afatit në këmbim të heqjes dorë pjesërisht nga ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare. “Tirana Interniational Airport”, kishte një kontratë 25 vjeçare për menaxhimin e Aeroportit të Rinasit, funksionale që nga viti 2004. Sipas marrëveshjes së arritur hapja e aeroportit të Kukësit do t’i shtonte 2 vite kontratës koncesionare së TIA, ndërsa në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, mbi 100 km larg në vijë ajrore, si Vlora ose Saranda, afati i koncesionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve.
Në nenin 3 të Amendamentit parashikohet zgjatja e afatit të ekskluzivitetit të operimit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të paktën me dy vite (pavarësisht nëse do të operojë ose jo ndonjë aeroport tjetër në territorin e Shqipërisë) dhe në varësi të datës së operimit zgjatjen e afatit sipas tabelës me 0.5 vite për çdo vit të operimit, nëse një aeroport tjetër fillon deri në vitin 2024 dhe maksimalisht 4.5 vite.
Pra, duke marrë për bazë hipotezën se aeroporti i Vlorës do të nisë të funksionojë për dy vjet, koncesionit të Rinasit i zgjaten automatikisht edhe 1.5 vjet afat. E thënë ndryshe koncesioni e ka afatin deri në mes të vitit 2029.
Kush e kundërshtoi zgjatjen e kontratës?
Më 12 dhjetor 2015, Autoriteti i Konkurrencës i drejtuar nga Lindita Lati i ktheu përgjigje Ministrisë së Transporteve të drejtuar nga Edmond Haxhinasto, ku e paralajmëronte se zgjatja e kontratës së Rinasit është me rrezik për vendin. Vendimi i Autoritetit është marrë në 24 dhjetor 2015 dhe u është dërguar në atë kohë palëve të interesuara, që kishin kërkuar mendimin e Autoritetit, por u bë publik vetëm pasi projektligji i marrëveshjes për shtyrjen e koncesionit u dërgua në Kuvend, ku mori miratimin. Ajo ishte kundër kësaj kontrate dhe kërkoi që të zgjatja e afatit të koncesionit të bëhej në bazë të tregut që do t’i merrte koncesionit aeroporti i ri (apo të rinj). Pra, kërkohej që vendimi të kishte logjikë ekonomike. Madje shtrohej edhe pyetja që i ka rezistuar kohës: Po sikur të mos vihet asnjëherë në funksion aeroporti i Kukësit? Kontrata zgjatej edhe nëse ky aeroport nuk vihej në punë.
Situata monopol e Rinasit
Autoriteti i Konkurrencës mund ta miratojë në mënyrë rutinore siç bën me kontratat e tjera të përqendrimeve apo shitjes së aksioneve. Por, në bazë të ligjit duhet të ndërhyjë dhe ta anulojë këtë blerje sepse Grupi “Kastrati” ka de facto, edhe pronësinë e aeroporti tjetër që pritet të vihet në funksion, atë të Kukësit.
Procedurat për dhënien me koncesion të Aeroportit të Kukësit nisën në korrik 2018, kur Qeveria i dha bonus 8 për qind të pikëve, ofertës së pakërkuar të shoqërive “Kastrati” dhe “TMD Systems”. Në tenderin që u zhvillua më 20 dhjetor 2018, ku “Kastrati” u tërhoq dhe fituan “Global Mechanichs” dhe “Bami shpk”.
Global Technical Mechanics është një kompani e krijuar në 2017 me objekt, ndër të tjera, shërbimet dhe ndërtimet në fushën e aviacionit. Aktiviteti i parë i kësaj kompanie është koncesioni i Aeroportit të Kukësit.
Pronari i vetëm i saj është Ridgers Mema, 28 vjeç. Në fakt ai është punonjës i “Kastratit”. Formalisht Mema është aksioner në tre shoqëri të tjera të “Kastratit”. Ai është aksioner në kompaninë “Al Global Oil”. Kjo kompani ka blerë rafinerinë e bitumit të ARMOS në Fier. Kjo firmë ka qenë në pronësi të Frident Kuqit dhe Shefqet Kastratit, të cilët në vitin 2017, transferuan 100 për qind të kuotave tek Ridgers Mema, Qazim Qazimi dhe Aurel Baka. Në qershor 2018, Aurel Baka i ka shitur aksionet e tij, 33 përqind, tek Ridgers Mema, i cili u bë aksioneri kryesor. Deri në dhjetor 2018, anëtarë të Bordit Mbikqyrës të kompanisë kanë qenë Shefqet, Musa dhe Leonard Kastrati.
Mema është gjithashtu aksioner dhe administrator në kompaninë “Ak Trade International Oil”. Në Këshillin Mbikëqyrës të kompanisë kanë qenë anëtarë nga viti 2014 deri në vitin 2017 Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste dhe Shefqet Kastrati. Nga këto fakte është e qartë se “Global Mechanics” është thjesht një guackë për Grupin “Kastrati”, që është pronar real i Aeroportit të Kukësit.
“Kastrati” synon të marrë edhe Aeroportin e Vlorës
Tenderi i koncesionit PPP i Aeroportit të Vlorës u pezullua të paktën deri në shkurt 2021. Shkaktar u bë Grupi “Kastrati”, i cili ka futur në garë një kompani guackë të vetën, që ka ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Kompania “Global Technical Mecanics”, e lidhur me “Kastratin” ka depozituar një ankesë. Zakonisht shqyrtimi i ankesave merr një deri në dy muaj. Deri atëherë, procedura e tenderimit nuk mund të vazhdojë. Ankuesi është pronar i koncesionit të Aeroportit të Kukësit.
/Gazetareforma.com/