Shumë zona të Shqipërisë në dukje tyë parëndësishme apo të pa shfrytëzuara që në 20 vitet e fundit janë rrokur edhe nga braktisja e popullsisë, duket se nuk janë edhe aq të parëndësishme.
Zhvillimi që ka njohur një pjesë e zonave malore dhe rurale të vendit tonë në 10 vitet e fundit përmes turizmit, pa ardhur ende periudha e pandemisë, u ka rritur mjaftë rëndësinë atyre por edhe vizitueshmërinë.
Jugu i vendit por edhe Veriu me bukuritë e rralla, kanë qenë në 5 vitet e fundit destinacione të shumëkërkuara si nga turistët vendas ashtu edhe nga ata të huaj.
Por edhe pse nga qeveria socialiste është bërë fare pak, sidomos në investimet në infrastrukturën turistike dhe atë rrugore, përsëri disa zona kanë arritur që të shquhen falë promovimit të vetë qytetarëve apo investimeve private.
Kjo ka nxitur edhe kureshtjen, por edhe interesimin nga investitorë të huaj, që shikojnë aty “thesare” ende të pazbulura nga vetë shqiptarët.
Disa zona në Jug të vendit, mes të cilave edhe Përmeti, duket se do të jenë jo më një premtim, por një mundësi konkrete zhvillimi dhe investimi nga të huajt.
Kush interesohet për Përmetin
Pas një marrëveshjeje të fundit për bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe, depozituar në Kuvend, nxjerr në pah projektet kyçe ku duket se do të përqendrohet vëmendja.
Por në këtë rast, surprizë nuk është më interesi për turizmin, që vitet e fundit njohu një gjallërim në rritje vit pas viti, por ajo që bie në sy është një pikë specifike për Përmetin.
Konkretisht në nenin 6 të marrëveshjes, parashikohen prioritetet e zhvillimit ekonomik të të dyja palëve të marrëveshjes.
“Të dyja palët kanë rënë dakord për një listë të projekteve specifike që konsiderohen të një natyre strategjike në përmbushjen e objektivave të kësaj marrëveshjeje midis të dyja palëve, si më poshtë vijon:
-Rizhvillimi i Portit të Durrësit;
-Mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil;
-Investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit”,- thuhet në dokument.
Edhe pse është një nga destinacionet më interesante të turizmit kryesisht për shkak të banjave termale të Bënjës, apo parkut kombëtar të “Bredhit të Hotovës”, si dhe i njohur për kulinarinë, ky duket të jetë angazhimi i parë i drejtpërdrejtë me një marrëveshje për zhvillimin e turizmit në zonën e Përmetit.
Resurset turistike të zonës
Përfaqësuesit e shtetit arab nuk kanë zbardhur shumë detaje se ku dhe se si synojnë të investojnë në një zonë që aktualisht konsiderohet ende e “virgjër” për nga zhvillimi turistik. Por duket se ky është edhe elementi i surprizës, ose sekreti që ata po përdorin për të mos rritur shumë kostot në zonë.
Viteve të fundit në qytetin e Përmetit janë bërë disa ndërhyrje rehabilituese brenda tij, ndërkohë që më pak janë realizuar jashtë në pjesën e infrastrukturës rrugore, në pjesën llixhave përmes një projekti të financuar nga Banka Botërore, apo edhe përmirësime të tjera më të vogla..
“Rrethi i Përmetit sipas statistikave ka rreth 39.000 banorë dhe është i pozicionuar në Juglindje të Shqipërisë, me një sipërfaqe prej 929 km². Përbëhet nga dy bashki, bashkia Përmet dhe bashkia Këlcyrë, si dhe nga 7 komuna si: Sukë, Ballaban, Çarshovë, Piskovë, Frashër, Petran dhe Dëshnicë. Ky komunitet mund të përkufizohet si Komunitet Malor.
Qyteti i Përmetit, qendër administrative e Rrethit, përshkohet nga lumi Vjosa nga i cili merr emrin dhe lugina. Lumi Vjosa përshkon 58 km të Rrethit dhe renditet i dyti në Shqipëri për rezervat hidrike që përmban; krijon një luginë shumë të bukur e cila ka kontribuar në Shqipëri duke filluar nga Çarshova dhe duke mbaruar në rrethin e Tepelenës.
Malet më të rëndësishme janë: Nëmërçka 2485 metra, Dhëmbeli 2080 metra dhe Trebeshina 1922 metra”,- thuhet në detajet për qytetin sipas “visit.përmet.org”.
/Burimi: visit.përmet.org/Përshtati: Iconstyle.al/