Maqedonia ka filluar testet e shpejta masive të popullsisë për virusin Covid-19. Vetën para disa ditësh, ky vend mori nga Norvegjia si dhuratë 13 mijë kite për analiza të shpejta, kurse Shqipëria gjithnjë në dorë të koncesioneve dhe të politikanëve të korruptuar. Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu në Kuvend, para disa ditësh tha se presin nga OBSH një furnizim dhe brenda muajit dhjetor në vend do të vijnë testet e shpejta. A gënjeu? Le ta shohim më poshtë.
4 mijë lekë tek privati
Çdo hap të pandemisë, qeveria e ka shfrytëzuar në favor të klientëve të saj me koncesione dhe të drejta ekskluzive. Pas tamponëve qeveria ka bërë pazar me testet e shpejta. Në kushtet e shifrave alarmante të të prekurve me koronavirus, analiza e shpejta serologjike marrin përparësi në përcaktimin e prezencës së Covid, po deklarojnë mjekët. Kjo situatë e re përkthehet në më shumë Lekë tek privatët e lidhur me qeverinë. Një analizë serologjike për të dy nivelet e anitkorpeve IgM dhe IgG, që jep përgjigje për 15 minuta, kushton minimalisht 40 mijë lekë (të vjetra) tek Laboratorët Privatë të licencuar këtë verë nga ministria.
Pse duhen analizat serologjike?
Sipas mjekëve, vonesat e tejzgjatura për analizimin e tamponit çojnë edhe në rezultate false. Kjo do të thotë se një individ edhe pse mund të jetë i prekur me Covid, qëndrimi për ditë të tëra i tamponit pa u analizuar, ul efikasitetin e analizës duke e nxjerrë negativ. Akoma më tepër, në situatën e sotme të pandemisë, duhen përgjigje të shpejta.
Pazari i Manastirliut
Më 17 korrik, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga shefi i laboratorit të mikrobiologjisë, Andi Koraqi dhe Silva Bino, shefe e laboratorit të referencës në ISHP, inspektoi laboratorin e QSUT dhe ndau lajmin se tashmë edhe në këtë laborator mund të kryheshin testet në ‘Real Time PCR’ për identifikimin e SARS-CoV-2.
“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre,” deklaroi Manastirliu.
“Ky laborator i certifikuar, siç e premtuam, do të rrisë kapacitetet e testimit dhe për t’iu përgjigjur strategjisë së testimit të realizuar me ekspertizën e Komitetit Teknik të Ekspertëve,” shtoi ajo.
Por as dy javë pas kësaj deklarate, Manastirliu urdhëroi që ky laborator të mbyllet. Vendimi është marrë pas kërkesës së koncesionarit, i cili ka fituar të drejtën që për 10 vitet e ardhshme të bëhet pronar i të gjithë laboratorëve dhe setit të analizave që do të kryejnë shqiptarët nëpër spitalet publike me një vlerë prej 95 milionë euro. Kontrata koncesionare u firmos në 24 prill 2019 me konsorciumin e tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium.
Rekomandimi i Komisionit Evropian
Komisioni Evropian rekomandon përdorimin e testeve të shpejta të antigjenit për të zbuluar koronavirusin, veçanërisht tek ata persona që tashmë kanë simptoma të Covid-19, pasi kjo metodë e zbulimit është më pak e saktë në zbulimin e koronavirusit te asimptomatikët.
Testet e shpejta janë më pak të saktë sesa testet (PCR), por ata mund të japin rezultate në çështje minutash dhe mund të jenë një mjet i vlefshëm.
“Testet e shpejta të antigjenit duhet të përdoren brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave ose brenda pak ditësh nga ekspozimi ndaj një rasti të konfirmuar të Covid-19” tha Komisioni Europian në një rekomandim për qeveritë e 27 vendeve të tij anëtare.
Komisioni tha se saktësia e testeve të shpejta në zbulimin e saktë të rasteve pozitive rritet kur përdoret tek pacientët kur kanë kaluar pesë ditë nga shfaqja e simptomave dhe në rastet kur kanë një ngarkesë të lartë virale.
Vonesat e përgjigjeve
Për një tampon në Laboratorin shtetëror të Virologjisë të duhet presësh një javë të marrësh përgjigje ose mund të mos e marrësh fare. Laboratori i virologjisë, i vetmi institucion shtetëror i certifikuar për analizën e COVID-19, e ka kapacitetin deri në 500 testime në 24 orë. Arsyeja e vonesave nuk është kapaciteti, por referimi i analizave të laboratorët privatë që punojnë me çmime të larta.
Prova që ky laborator mbahet me pikatore nga Ministria e Shëndetësisë (sepse po nuk pate tampon nuk bën dot analiza) doli para disa ditëve, kur me urdhër të Kryeministrit Rama, këto kompani me marrëveshje dolën dhe ulën çmimin nga 120 mijë lekë në 85 mijë lekë. Tani mbetemi në pritje që të dalë sërish Rama, para se të mbarojë pandemia, të ulë çmimin e analizave serologjike.
/GazetaReforma.com/