Qeveria shqiptare nuk mund të japë koncesione me PPP pa fund dhe vlera kolosale parash në në një kohë që vendi ka një të ardhme të paqartë ekonomike, ndikuar edhe nga faktorët e jashtëm.
Ky është rekomandimi që Banka e Shqipërisë i ka sugjeruar qeverisë “Rama”, duke i kërkuar që të vendosë një kufi të sipërm (tavan) lidhur me vlerën totale të PPP-ve, në raport me PBB-në, në Ligjin Organik të Buxhetit.
Në një opinionin mbi projektbuxhetin 2021, Zv.guvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, deklaroi për “Monitor” se, projektet e reja të PPP-ve duhet të miratohen brenda një kornize që mundëson vendosjen e prioriteteve lidhur me investimet publike.
Përdorimi masiv i kontratave të partneritetit publik-privat për financimin e investimeve të reja, ka sjellë rritje të shpejtë të shpenzimeve buxhetore për pagesën e tyre dhe për vitin e ardhshëm, kjo faturë parashikohet të arrijë në rreth 2.5% të shpenzimeve buxhetore totale.
Në opinion e saj për projektbuxhetin, Banka e Shqipërisë, e ka vlerësuar si të arsyeshëm projeksionin optimist të qeverisë, për rritje të të ardhurave buxhetore me 11%.
Megjithatë, duke parë rreziqet e larta ndaj të cilave është e ekspozuar ekonomia, Banka e Shqipërisë, ka kërkuar rritje të “kontigjencës” në buxhet (fondit rezervë) ose identifikim paraprak të shpenzimeve jo-prioritare.
“Projeksionet tona të të ardhurave janë lehtësisht më të ulëta se projeksionet e Buxhetit. Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta të kahut të poshtëm mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave.
Për këtë arsye, ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre. Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara, duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave.
Në këtë drejtim, ne sugjerojmë se një hap pozitiv do të ishte rritja përtej niveleve aktuale e fondeve kontingjente në buxhet apo identifikimi paraprak i shpenzimeve jo-prioritare, realizimi i të cilave duhet të kushtëzohet me realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave”,- tha Zv.guvernatorja Minxhozi.
Projektbuxheti 2021 bazohet në premisën e një rikuperimi gradual të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm dhe projekton një deficit rreth nivelit 6.5% të PBB-së.
Ky deficit pasqyron projektimin e një niveli relativisht të lartë investimesh publike, të parashikuara të arrijnë në nivelin 7.2% të PBB-së.
Banka e Shqipërisë shprehet në favor të mbajtjes së shpenzimeve të larta publike për vitin e ardhshëm, si një stimul i domosdoshëm për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.
Projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021.
Në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë.
Përballja me krizën e fundit ilustroi plotësisht rëndësinë që ka një nivel i ulët apo nën kontroll i borxhit publik.
/Burimi: Monitor.al/Përshtati: GazetaReforma.com/