Nuk mjafton Policia Bashkiake, por edhe Policia e Shtetit është vënë në dispozicion të koncesionit Tirana Parking. Vetëm tek “Myslim Shyri”, për 12 orë u vendosën 120 gjoba. U vendosin gjoba shoferëve të cilët sjellin furnizime ose marrin porosi në lokalet dhe bizneset e rrugëve, që ndalojnë vetëm për disa minuta. Policia kërkon që t’i detyrojë të parkojnë me pagesë.
Gjatë vitit të fundit numri i gjobave të marra për shkak të parkimit të gabuar në Bashkinë e Tiranës shkoi në 74,191 nga vetëm 32, 342 që ishte një vit më parë. Vlera e përfituar si pasojë e arkëtimit të gjobave u përllogarit të ishte afro 1.8 milionë euro. Nëse nuk merr gjobë duhet të paguash Tirana Parking. Tarifat e vendosura (100 lekë/ora) për parkimin synuan të shkurajojnë lëvizjen me makinë veçanërisht në qendër të kryeqytetit.
Duke qenë se rruga “Myslym Shyri” njihet si një nga rrugët më të rëndësishme për njësitë tregtare në kryeqytet, ku mbetet shqetësim i përditshëm “parkimi i mjeteve në korsinë e lëvizjes”, duke krijuar pengesa në qarkullimin e mjeteve. Në fakt aty ka vetëm korsi lëvizje, nuk ka hapësirë parkimi, si rrjedhojë e vendosjes së pastudiuar të korsive të biletave. Shoferët ndalojnë në pak momente me bllokazh të ndezur, por policia ka marrë urdhër të mos i tolerojë. Viktima më së shumti bëhen banorët e zonë dhe pronarët e dyqaneve të kësaj rruge.
“Duke konsideruar vështirësitë e lëvizjes, për shkak edhe të kantiereve të ndërtimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, shqetësimet dhe problematikat që adresohen herë pas here nga qytetarët, në lidhje me parkimet e gabuara, kryesisht ato në rresht të dytë, Policia Rrugore e Tiranës ka nisur zbatimin e një plani veprimi”, njofton Policia Rrugore.
Aksioni ka treguar egërsinë e policëve duke mos toleruar edhe kur në makinë gjendet shoferi, i cili i tregon se po e lëviz makinën.
“Rrugorët e kryeqytetit do vijojnë patrullimet policore në funksion të planit të veprimit, me qëllim që përdoruesit e rrugës të kuptojnë dhe respektojnë detyrimet ligjore, kur përdorin rrugën si zonë për përdorim publik, e destinuar për qarkullimin e këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve, sipas sinjalizimit rrugor të vendosur nga enti pronar i rrugës”, deklaron policia duke mos e fshehur se kjo fushatë është urdhëruar nga enti i rrugës, pra Bashkia e Tiranës.
Ankesat e bizneseve
Rruga e mësipërme u zhvillua gjatë kohës që ishte kryetar bashkie, Edi Rama, i cili duke bllokuar me kangjellat e trotuareve në Rrugën e Durrësit. Kjo ua bëri të vështirë bizneseve aksesin me klientët dhe furnizimet. Bizneset u detyruan të lëvizin tek “Myslim Shyri”. Ndërhyrja e fundit e Bashkisë Tiranë, kësaj here nën drejtimin e Erion Veliajt, sërish bie mbi kurrizin e biznesit..
Sipërmarrësit ankohen se nuk u përfshinë në vendimmarrje dhe se nëse ndalohet parkimi dhe ngushtohet rruga të ardhurat e tyre nga aktiviteti mund të bien deri në falimentim.
“Njerëzit nuk ndalojnë, se nuk kanë ku të parkojnë dhe kemi rënie të xhiros në biznes. Numri i biçikletave që kalojnë është shtuar, sidomos gjatë kohës së pandemisë, por gjithsesi është shumë më i vogël se numri i makinave.”, – shprehet pronari një lokali.
Banorët e “Myslim Shyrit”
Policia thotë se ka marrë ankesa nga qytetarët, por të parët që e hedhin poshtë këtë justifikim janë banorët. Zona e “Myslym Shyrit” është kryesisht me pallate të vjetra, të cilat nuk ofrojnë mundësi parkimi, ndërkohë që së fundmi hapësira te ish-“Ekspozita Shqipëria Sot”, e cila shfrytëzohej për parkim me pagesë, iu dha leja për kullë 90 metra të Janë disa pallate që kanë nisur ndërtimin me vrull në këtë zonë.
Banorët shprehen se bëhen çdo ditë pre e policëve rrugorë dhe atyre bashkiakë oër shkak se nuk gjejnë hapësirë parkimi. Ata thonë se nuk janë bërë bërë pjesë e vendimmarrjes së bashkisë për këto korsi biçikletash. Të njëjtin shqetësim kanë pasur ditët e fundit bizneset dhe banorët e rrugëve “Hoxha Tahsin”, apo “Qemal Stafa”.
Tenderët
Bashkia ka investuar në Unazën e Vogël në kryeqytet për korsitë 1568 metra linearë, në Rrugën e Dibrës, 1210 metra linearë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, 1740 metra linearë, në Bulevardin Zogu I, 620 metra linearë, në parkun e Liqenit, 6200 metra linearë, në Unazën e Mesme, 3100 metra linearë, si dhe ka bërë investime edhe në disa akse të tjera.
Pas këtyre projekteve që torturojnë qytetarët e lënë pa alternativë parkimi, qëndrojnë abuzimet në tenderë. Një prej tyre është ai i “Korsive të biçikletave në Rrugën e Kavajës dhe të Dibrës”, ku, sipas Open Data Albania, janë shkualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç atij fitues. I njëjti problem si më sipër shihet edhe në tenderin e prokuruar nga Drejtoria Nr. 2 e Punëtorëve të Qytetit Tiranë. Në këtë tender për “Sinjalistikën për korsi biçikletash” janë shkualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç atij që ka fituar tenderin. Me flamur të kuq është edhe tenderi për “Korsitë e biçikletave në Bulevardin Zogu i Parë”, ku specifikohet se ka munguar konkurrenca dhe fituesi është operatori i vetëm konkurrues.
/Gazeta Reforma.com/