Prej afro 3 javësh, naftëtarët e Ballshit gjenden në grevë urie. Ata kërkojnë mbi 13 paga të papaguara për punën e tyre në rafineri. Ata vendosën të futen në grevë, pas shumë protestave ku halli i tyre nuk po zgjidhej.
Naftëtarët i bëjnë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Rama të zgjidhë situatën, por ky i fundit është shprehur se po i ndihmon me sa mundet, sepse naftëtarët e kanë kontratën me kompaninë private.
Por si është e vërtetat e ARMO-s?
Historia e ARMO-s dhe e rafinerieve të saj, është një histori ku mund të jenë humbur mbi gjysëm miliardë euro pasuritë publike.
Sipas hulumtimit dhe llogaritjeve të, në mbyllje të bilancit të vitit 2013, ARMO kishte krijuar rreth 350 milionë euro detyrime të papagura dhe borxhe.
Pronari i atëhershëm i ARMO-s, Rezart Taçi nuk arriti dot të shlyente as huanë ndaj Bankës Ndërkombëtare të Azerbaixhanit që kishte financuar blerjen e ARMO-s. Kështu azerët vendosën sekuestro mbi Armon.
Taçi negocioi dhe në gusht të 2013-ës, në shkëmbim të huasë së papaguar, shiti aksionet e tij në ARMO tek ‘Heaney Assets Corp,’ kompani offshore e kontrolluar nga azerët.
Qeveria Shqiptare vijoi të ruante pronësinë e saj prej 15% në ARMO.
Me shitjen e ARMOS-s tek kompania azerbajxhanase, filloi një histori e re e abuzimit dhe shkatërrimit të aseteve të ARMO-s.
Si rezultat, ARMO akumuloi borxhe të reja, për tatimet, energjinë, ujin, etj.
ARMO shtoi 25 milionë euro borxhe në vitin 2014, ndërsa në vitin 2015 borxhet e ARMOS u shtuan edhe me rreth 125 milionë euro, edhe për shkak të zbulimit nga një inspektim tatimor i detyrimeve të pa raportuara më parë.
Në total, në fund të vitit 2015, detyrimet totale, ndaj të gjitha palëve, të ARMO-s arritën në rreth gjysëm miliardë euro.
Për shkak të borxheve, nga viti 2014, llogaritë dhe asetet e ARMO-s kanë qenë nën sekuestro nga dhjetëra kreditorë, përfshi administratën tatimore dhe bankat Credins dhe Rajfajzen.
Diku nga viti 2016, bankat morën menaxhimin e rafinerive dhe vendosën t’i jepnin me qira rafineritë.
Qiramarrësi i rradhës i Rafinerisë së Ballshit ishte kompania ‘Jonian Refining’ and ‘Trading Compani – IRTC’.
Përfaqësuesi i saj, amerikani Harris Sergeant Serxhent i Tretë, u prezantua tek punonjësit e Ballshit me pompozitet nga Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri Arben Ahmetaj.
‘IRTC’ krijoi të paktën një detyrim prej rreth 4,7 miliardë lekë, rreth 35 milionë euro, ndaj administratës tatimore dhe u zhduk.
Si u krijuan borxhet e ARMO-s?
E vërteta e borxheve të këtyre kompanive është gjithmonë e errët.
Në vitin 2016, bankat vendosën të shesin asetet e ARMOS për të rimarrë huatë e papaguara.
Sipas ligjit, pagat e punonjësve dhe taksat ndaj qeverisë janë të parat në rradhën e shlyerjes së detyrimeve përmes sekuestrimit dhe shitjes së aseteve.
Por, në fund të vitit 2016 asetet e ARMO-s u hodhën në ankand për llogari të bankave kreditore.
Rafineria e Ballshit u ble nga vetë Banka Credins. Kurse Rafineria e Fierit u shit për llogari të Bankës Rajfajzen tek një një kompani vendase.
ARMO mbeti skelet, e zhveshur nga asetet, një fantazmë me me qindra milionë euro borxhe që nuk do të paguhen kurrë.
Pak muaj pas blerjes, Credins e shiti Rafinerinë e Ballshit tek një kompani offshore e quajtur Allumn Enterprises.
Rafineritë e Armos janë marrë me qira me rradhë nga ‘Deveron Oil’, ‘TPD’, ‘IRTC’, ‘Byllis Energji’, ‘Tosk Energji’, kompani të lidhura me njëra-tjetrën.
Ato përpunojnë naftë nën kosto, e shesin me çmim tregu, nuk paguajnë taksat dhe detyrimet e tjera, pagat, dhe pastaj shpallin falimentimin.
Qeveria bllokon llogaritë dhe asetet e këtyre, por ato janë kompani guackë, pa asnjë aset dhe qeveria nuk merr asgjë.
Kush përfiton nga ARMO?
Rafineria e Ballshit ka teknologji të vjetër dhe të amortizuar, duke mos sjellë asnjë përfitim ekonomik ose strategjik. E vetmja mënyrë me leverdi e shfrytëzimit të rafinerisë ishte përmes skemave grabitqare.
Përveç mospagimit të punonjësve, energjisë, elektrike, ujit apo Albpetrolit, grabitja në Armo ka ndodhur përmes evazionit fiskal.
Si u grabit ARMO përmes evazionit fiskal?
Qeveria i ka veshur naftës të gjitha taksat që nuk i mbledh dot: akcizën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit, dhe natyrisht TVSH-në mbi koston e blerjes dhe të gjitha taksat e tjera.
Duke qenë se qeveria ka aftësi të kufizuara për të mbledhur taksat brenda vendit, ajo ka synuar që t’i mbledhe të gjitha taksat në doganë, parapagim.
Pa përfshirë kostot e transportit dhe shitjes dhe fitimin e kompanive të naftës: në çmimin e naftës më shumë se 60% janë taksa.
Qeveria i merr këto taksa që në momentin e çdoganimit.
Nafta që importohet shkarkohet nga anijet në magazina doganore. Në momentin që nafta del nga magazina për t’u hedhur në qarkullim, ajo duhet të paguajë menjëherë të gjitha taksat, pra çdo gjë parapagim.
Në porte kjo gjë është e vështirë të shmanget. Në Ballsh është e lehtë. Aty, nafta e prodhuar duhet të futet në një depozitë që funksionion njësoj si magazina doganore. Në Ballsh, nuk ka as doganë, as polici kufitare.
Prodhuesit e naftës në ARMO e shesin naftën me çmim tregu, por pa paguar taksat, apo detyrimet doganore.
Në fakt, nuk i paguajnë asnjëherë këto detyrime pasi ato shpallin shpejt falimentimin.
Prokuroria ka hetuar disa skema të tilla, dhe ka dënuar disa peshq të vegjël, pa i hetuar në thellësi këto skema evazioni.
Qeveria që është aksioner i ARMO-s e ka lejuar atë jo vetëm të abuzohet nga kompani private, por pastaj ka lejuar këto të fundit që të përdorin ARMO-n për të bërë evazion fiskal.
Bëhet fjalë për një qeveri që dhunoi qytetarët dhe bizneset për faturat e dritës dhe të huajt dhe që e konsideron pagesën e faturave si arritjen e saj më të madhe.
Po pse dy standarde: ashpërsi me të vegjlit, por liri dhe pandëshkueshmëri për gjigandët?
Pak mbetet për të thënë, nga gazetarët dhe publiku. Kjo çështje tashmë nuk ka të bëjë më as me minatorët, as me politikat publike, por me drejtësinë.
/Burimi: ExitNeës/GazetaReforma.com/