Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 33 të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa i ushtrisë armene ndaj qytetit Ganja në Azerbajxhan, ende pa kaluar 24 orë nga armëpushimi i arritur, raporton Anadolu Agency (AA).
Numri i viktimave u bë i ditur nga Ministria e Jashtme e vendit, e cila në një deklaratë në Tëitter tha se në mesin e të plagosurve ka edhe fëmijë.
Ali Memedov, një qytetar i cili i mbijetoi sulmit duke shpëtuar vetë nga rrënojat e shtëpisë së shkatërruar nga sulmi, tha për AA se fillimisht ka menduar se bëhet fjalë për tërmet.
“Dëgjuam një zhurmë shpërthmi. Më pas, shtëpia u shemb mbi ne. Në fillim mendova se ishte tërmet. Pastaj dolëm nga rrënojat së bashku me familjen”, tha Memedov.
“Kur dolëm jashtë përjetuam tronditje. Raketat kishin rënë në ndërtesat e fqinjve. Dëgjova britma të fëmijëve dhe grave. Menjëherë i ndihmova ata dhe u përpoqëm të largoheshim nga zona”, shtoi ai.
Ndryshe, në takimin e ministrit të Jashtëm të Azerbajxhanit Ceyhun Bayramov dhe ministrit të Jashtëm armen Zohrab Mnatsakanyan në Moskë dy ditë më parë, me ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, u ra dakord që nga dje në mesditë të shpallet armëpushim për qëllime humanitare për shkëmbimin e të burgosurve dhe trupave të të vrarëve.
Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe, Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, duke shkatuar viktima.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.
Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.
Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Megjithatë, në vitin 1994 u arrit një armëpushim.
/GazetaReforma.com/