Nevojat e vendit me energji elektrike nuk janë përmbushur dot nga prodhimi i sektorit hidroenergjetik vendas për muajt e fundit, me gjithë reshjet e fund-shtatorit dhe fillim-tetorit.
Për pasojë, shteti ka kërkuar të blejë nga tregu ndërkombëtar energji elektrike për muajin tetor, duke rritur nivelin e importit të energjisë.
Furnizuesi i Tregut të Lirë ka finalizuar procedurën e parë të blerjes së energjisë në tregun e parregulluar për muajin tetor, me një kosto mbi 2.9 milionë euro.
Konkretisht sipas të dhënave të bëra publike nga vetë FLT, ankandi u organizua në dy lote. Në lotin e parë, FTL kërkoi furnizim me energji për 24 orë për 8 ditë, në fuqi 180 MW, dhe në sasi 34 560 MW/h.
Ndërsa në lotin e dytë, kompania kërkoi furnizimin për të paktën 16 orë, po për 8 ditë, ku fuqia është 150 MW dhe sasia 19 200 MW/h.
Rezultatet e ankandit ishin “Profil: Loti 1, 34,560.00 MW/h e konvertuar në vlerë monetare 1,850,868.48 Euro, me një çmim mesatar prej 53.56 Euro/MW/h. Profil: Loti 2, 19,200.00 MW/h e konvertuar në vlerë monetare 1,122,590.72 Euro, me një cmim mesatar prej 58.47 Euro/MW/h”.
Ashtu sikurse ka ndodhur herë pas herë për shkak të situatës hidrike ose çmimeve të kripura negocimet janë zhvilluar në disa raunde dhe vetëm në fazën e tretë duket se është plotësuar sasia e nevojshme e energjisë së kërkuar.
Kjo është hera e parë që FTL del në tregun e lirë për muajin tetor, kurse gjatë shtatorit zhvilloi një sërë procedurash për të siguruar energjinë e nevojshme në vend.
OSHEE konfirmoi pak kohë më parë për Monitor se situata e vështirë hidrike që ishte e dukshme në vitin 2019 ndikoi negativisht në bilancin e saj.
Në atë kohë, kompanisë iu desh të rriste me 45% shpenzimet për import të energjisë në raport me planifikimin e fillim-vitit. Edhe në vitin 2020, ndikimi i situatës hidrike ka qenë i lartë dhe shpenzimet kanë kaluar dhjetëra milionë euro.
Furnizimi nga KESH për vitin 2020 parashikohet të jetë në minimumet historike, dhe si pasojë, OSHEE përsëri do të mbajë barrën e rëndë të blerjes së kësaj energjie të munguar në treg të lirë me çmime shumë herë më të larta se KESH.
Përveç thatësirës, OSHEE konfirmoi se edhe pandemia ka pasur efektin negativ në dy drejtime të lidhura me rënien e arkëtimeve nga konsumatorët dhe ndryshimi i strukturës së konsumit të energjisë, ku konsumi familjar, i cili e blen me çmim të ulët është rritur, ndërkohë konsumi i biznesit, i cili e blen energjinë me çmim të lartë, është ulur ndjeshëm.
/GazetaReforma.com/