Teksa gjenden në ditën e katërt të grevës së urisë, gjendja e naftëtarëve vjen dhe përkeqësohet. Madje një prej tyre, teksa fliste për mediat, tregon shenjat e lodhjes që po përjeton.
“Sa vjen dhe rëndohem. Më merret fryma në gjoks, ndjej një si helm, dhimbje të këmbëve, gjunjëve, ja shtrirë. Derisa të vdesim këtu jemi. Çfarë do bëj në shtëpi unë? S’kam ti çoj bukë kalamajve. S’ka tjetër rrugë. I kam humbur shpresat.”, u shpreh ai.
Vetëm në ditën e katërt, një ambulancë ka shkuar drejt tyre, për të parë gjendjen. Por, naftëtarët e kanë refuzuar dhe mjekët janë kthyer pas.
“Mjekët nuk na erdhën që ditën e parë. S’do i pranojmë mjekët edhe sikur të dalim të vdekur. S’ka rëndësi gjendja jonë, nuk duam ndihmë. Grevën do ta vazhdojmë me ujë dhe sheqer. Ku ishin deri dje mjekët, pse vijnë sot? “, shprehen naftëtarët.
Ata shprehen të vendosur për të vijuar grevën, deri në orën e fundit, dhe se nuk dalin nga aty pa marrë rrogat që u takojnë, sepse janë të zhytur në borxhe.
”Do të vazhdojmë, se një problem kemi, ekonomik. Deri në orën e fundit. Derisa të marrim zgjidhje. S’ka kthim pas. S’kemi arsye të tjera, jemi nga ana ekonomike zero. Ndaj, kemi fëmijët në shkollë. Jemi dhe pa bukë. Jemi krimbur në borxhe. Të sëmurë jemi. Nuk shkojmë të vizitohemi sepse s’kemi lekë për ilaçe. Na premtuan për 7 paga që të linim grevën e urisë. Jo vetëm nuk na i dhanë, na hoqën dhe nga puna.”– tha një naftëtar.
/GazetaReforma.com/