Depozitimi i mbetjeve urbane në bashkinë e Durrësit, është një problem për qytetarët dhe vetë arkën e qytetit bregdetar. Emergjenca mjedisore shpërtheu në muajin qershor, ku teksa vendi ishte i izoluar ende prej pandemisë, kazanët e mbetjeve filluan të derdheshin nga plehrat, të cilat për gati një javë nuk merreshin nga ndërrmarjet e qytetit për grumbullimin e mbetjeve.
Gazeta Reforma e ka shtruar edhe më herët problemin e mbetjeve në bashkinë e Durrësit. Kjo emergjencë, ishte e paralajmëruar, që në korrik të 2018. Këshilli Bashkiak i Durrësit i kishte kërkuar Komitetit të Menaxhimit të Mbetjeve shpalljen emergjencës mjedisore, duke e autorizuar ish-kryetarin e bashkisë, Vangjush Dako të bashkëpunonte me koncesionarin e landfillit të Tiranës për gjetjen e një zgjidhjeje efikase për depozitimin e mbetjeve.
Pikërisht, ky vendim i marrë nga Dako, ishte dhe pikënisja fillestare për rehabilitimin e vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano.
Pavarësisht vendimit të Këshillit Bashkiak të korrikut 2018, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako mohoi që qëllimi i tij ka qenë dërgimi i mbetjeve në Sharrë, apo nëpërmjet një landfilli të ndërtuar me koncesion. Dako i tha BIRN se kjo ka qenë një zgjedhje e sforcuar.
‘Ne kemi pasur një projekt për landfillin në Manzë,’ tha ai. ‘Ne nuk donim ta bënim landfillin me privatin me PPP, donim të ndërtonim një landfill të bashkisë,’ shtoi Dako.
Gati një vit më vonë, AKUM mbajti një mbledhje të Këshillit Teknik me qëllim mbylljen e venddepozimit të mbetjeve të Porto Romanos, i cili nuk i plotësonte kushtet mjedisore.
Në 20 qershor 2019, në mbledhjen e realizuar në AKUM, kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të bashkisë Durrës, të cilët janë njohur me projektin teknik për mbylljen e venddepozitimit në cilësinë e përfituesit fundor. Sipas AKUM, miratimi i projektit teknik e implikonte bashkinë e Durrësit me përgjegjësinë për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve.
Në 16 tetor 2019, AKUM hapi një tender me fond limit 1.6 miliardë lekë për mbylljen e venddepozitimit të Porto Romanos dhe ndërtimin e një Eko Parku, por e anuloi atë 3 ditë përpara hapjes së ofertave më 6 dhjetor.
Tenderi u rihap me procedurë të përshpejtuar pas vendimit të kryeministrit Rama me 16 dhjetor 2019, për menaxhimin e mbetjeve të krijuara nga tërmeti dhe 11 ditë më pas – pasi AKUM negocioi me 4 kompani, shpalli fituese bashkimin e operatorëve De Mare Srl & dhe Victoria Invest International.
Ky tender po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka regjistruar një procedim penal për veprat e ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tender’ dhe ‘Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’.
Më 13 janar 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit, KKT miratoi lejen e ndërtimit për projektin e rijetëzimit të fushës së mbetjeve në Porto Romano. Më 10 janar, AKUM i kishte kërkuar bashkisë Durrës gjetjen e një vendi alternativ për depozitimin e mbetjeve, ndërsa më 20 prill urdhëroi mbylljen e venddepozitimit – tashmë të tenderuar.
Bashkia e Durrësit iu përgjigj AKUM-it se nuk kishte mundësi financiare dhe burime njerëzore për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano, pasi gjendja e saj financiare ishte përkeqësuar nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit 2019, por edhe nga fatkeqësia natyrore e krijuar nga COVID-19, të cilat kanë krijuar një gropë në buxhetin e a bashkisë.
Bashkia e Durrësit ishte përballur me vështirësi për mbulimin e kostove të menaxhimit të mbetjeve edhe përpara goditjes nga krizat e njëpasnjëshme.
Fondi i menaxhimit të mbetjeve kap një vlerë prej 378 milionë lekësh në 2020 –ose 13% të buxhetit prej 2.9 miliardë lekësh të bashkisë së Durrësit, ndërsa tarifa e pastrimit mbulon vetëm 68% të kostove.
‘Në politikat e bashkisë Durrës nuk parashikohet në 5 vjet një rritje e tarifës së pastrimit dhe mbledhjes së mbeturinave, kjo për shkak të situatave të vështira të krijuara nga tërmeti i shtatorit dhe i nëntorit, por edhe nga fatkeqësia natyrore e krijuar nga COVID-19, të cilat kanë shkaktuar një impakt shumë negativ në buxhetin e a bashkisë,’ argumentoi bashkia e Durrësit.
Por më 15 maj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e paralajmëron kryetaren e bashkisë Durrës se në qoftëse nuk e ndalonte depozitim e mbetjeve në Porto Romano, do kishte pasoja ligjore.
‘Ju rikujtojmë se vazhdimi i depozitimit të mbetjeve nga ana e bashkisë Durrës në Porto Romano është i paligjshëm,’ shkruan MEI.
‘Bashkia Durrës duhet të marrë masa menjëherë për gjetjen e zgjidhjeve alternative për depozitimin e mbetjeve të ngurta dhe pezullimin e depozitimit të mbetjeve në kantierin e ndërtimit,’ shtoi MEI, ndërsa theksoi se ndryshe AKUM do ta padiste, duke kërkuar dëmshpërblimin e dëmit financiar.
Mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos ka qenë një vendim i pastudiuar dhe me kosto të lartë për bashkinë e qytetit bregdetar.
Një rast vërtetë skandaloz, pasi me mbylljen e fushës në Porto Romano, arkës së bashkisë do i kushtonte 3-4 milionë euro në vit transportimi i mbetjeve në një vend tjetër. Gjë që mund të llogaritej në shumë më pak para të harxhuara, nëse qyteti i Durrësit do e bënte vetë këtë shërbim.
/Burimi: BIRN/ Përshtati: GazetaReforma.com/