Ka qenë e turpshme mbrëmja e djeshme për ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili nuk ka mundur që të fshehë dot dështimin e digasterit që drejton dhe të sektorit që duhet të ishte prioritar për ekonominë e vendit.
Shifrat e turizmit dhe mos dhënia e ndihmës nga ana e qeverisë sektorit që nxori më shumë të papunë në rrugë, kanë qenë mbrëmë objekt i një debati televiziv në emisionin “Çim Peka LIVE” në “Syri TV”.
Ministri i Turizmit, Klosi, komentoi në mënyrën e tij (pa ngjyra) situatën e vështirë të pandemisë dhe ndikimin që ajo dha te turizmi shqiptar.
I gjendur përballë “breshërisë” të fakteve, pyetjeve dhe argumenteve të një paneli gazetarësh, ministri Blendi Klosi, në heshtje dhe me fjalët që i “zvarriteshin” nga goja, nuk mundi që të justifikonte dështimin e pasqyruar edhe me shifra.
Gazetari Enton Abilekaj, duke iu drejtuar ministrit Klosi, tha se, nuk ka pasur ndihmë për biznesin e hoteleve.
“Nuk pati incentiva për stafet e hoteleve, madje pati inspektime nga tatimorë dhe gjoba të rënda, të ligjshme dhe të paligjshme”,- tha ai.
Por ministri Klosi nuk e pa pranuar këtë fakt dhe deklaroi se, kjo nuk është e vërtetë.
“I vetmi biznes që mori mbështetje nga paketat e ndihmës ishte ai i turizmit. Një sërë masash të kërkuara nga biznesi i turizmit u plotësuan”,- tha ai.
Ndërkohë Abilekaj, nënvizoi momentin e 15 qershorit, kur u mësua se Shqipëria ishte në listën që i ishte bllokuar lëvizja. Ai tha se, qeveria mund të kishte bërë më shumë në këtë drejtim.
“Ajo që ndodhi më 15 qershor edhe për ne ishte e vështirë pasi menduam se të gjithë vendet do ishin pjesë e lëvizjes evropiane. Kjo është pjesë e lobingjeve. Natyrisht hapja e negociatave do të ndryshojë pozicionin e Shqipërisë, edhe në situata të ngjashme si ajo e 15 qershorit”,- tha Klosi.
Shifrat nga turizmi tri herë më pak se 2019-a
Për të justifikuar shifrat e dobëta të të ardhurave nga sektori i turizmit në 3-mujorin e dytë dhe në muajt e verës, ministri Klosi është justifikuar me argumentin se sezoni turistik nuk ka përfunduar ende, dhe se ai do të zgjatet deri në nëntor.
“Nuk është mbyllur ende sezoni turistik, Shqipëria ka mundësi të ketë 12 muaj turizëm”,- tha ai.
Sipas ministrit, “që në datën 1 qershor, ne ishim të parët dhe të vetmit në rajon ne hapëm kufijtë dhe për asnjë moment nuk ceduam për sa i përket kufirit. Nuk bëmë si vendet e tjera fqinje. Nga 1 qershori kemi turizëm të qëndrueshëm. Shqipëria ia doli falë disa marrëveshjeve që bëmë me disa operatorë turistikë”,- tha Klosi, duke cituar marrëveshjet me Bjellorusinë dhe Poloninë.
Megjithatë, Klosi pranoi faktin se shumica e turistëve që hynë në vend ishin nga vendet e rajonit, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia.
“Objektet mikpritëse kanë bërë biznes afërsisht sa 2019-a, disa edhe më mirë”,- tha Klosi.
Por kjo deklaratë e tij, u hodh poshtë madje me shifra nga gazetari Klodian Tomorri, i cili tha se, kanë hyrë në vend gati tre herë më pak turistë se në vitin 2019.
“Në gusht ishin 62% më pak se vjet dhe në 8-mujor janë 64%. Pra 1.7 milionë turistë ishin këtë vit, nga 4.8 milionë që ishin vjet”,- deklaroi gazetari Tomorri si kundër-provë për deklaratën e ministrit Klosi.
Shifrat “kokëforta”
Gjatë debatit të djeshëm me ministrin e Turizmit, Blenmdi Klosi, gazetari Klodian Tomorri, deklaroi se ekonomia e Shqipërisë në 3-mujorin e dytë, ka një rënie të madhe dyshifrore.
Tomorri është shprehur se, INSTAT brenda 2-3 ditësh do të nxjerrë shifrat e ekonomisë dhe rënia është shumë e madhe, të paktën prej 10%.
Sipas gazetarit Tomorri, kjo është rënia më e madhe ekonomike që kur në Shqipëri ka nisur të matet kjo gjë.
Duke pyetur ministrin Blendi Klosi, pse forca politike që ai përfaqëson, nuk ul tensionet, por i rrit ato, duke dëmtuar ekonominë, përfaqësuesi i qeverisë, shtroi si argument justifikimi fakti se “në krizë është krejt bota…”.
“Në krizë ekonomike dhe në recension është e gjithë bota, e jo vetëm Shqipëria”,- u justifikua ministri Blendi Klosi, duke mos dhënë asnjë shpjegim se si mund të rimëkëmbet ekonomia e vendit tonë dhe veçanërisht sektori i turizmit.
Për të gjithë 6 muajt e parë të vitit 2020, bilanci i udhëtimeve rezultoi me një qarkullim prej 91 milionë eurosh, nga 157 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku humbja ishte me 42%.
Krahasimi me vitin 2019
Shpenzimet e të huajve për 6-mujorin ishin vetëm 409 milionë euro, në gati një përgjysmim në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tremujori i dytë i vitit shënoi edhe periudhën e humbjeve më të mëdha në ekonomi dhe sidomos në sektorin turistik, si rrjedhojë përpjekjeve për parandalimin e pandemisë.
Të dhënat e para nga Banka e Shqipërisë, treguan se bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë, ishte vetëm -2 milionë euro në 3-mujorin e dytë të vitit.
Të huajt shpenzuan në Shqipëri vetëm 63 milionë euro në tremujorin e dytë, nga 506 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një tkurrje prej 87%, ose 443 milionë euro më pak.
Edhe shqiptarët, në udhëtimet e tyre jashtë vendit, shpenzuan rreth 65 milionë euro, nga 425 milionë euro në tremujorin e dytë 2019, me një rënie prej rreth 85%, ose 361 milionë euro më pak.
Bilanci i udhëtimeve për këtë periudhë ishte pothuajse zero, ndërkohë që hotelet e kanë ndier mungesën e të huajve, që kanë shpenzuar rreth 440 milionë euro më pak në tre muajt e dytë të vitit.
Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv me 81 milionë euro për Shqipërinë.
Numri i shtetasve tëhuaj të hyrë në vendin tonë përgjatë 6-mujorit të parë 2020, është 781.894, duke rënë me 63,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në vitin 2019, që ishte më i miri për turizmin deri tani, bilanci pozitiv i udhëtimeve ishte rreth 500 milionë euro.
Të huajt shpenzuan atë vit rreth 2 miliardë euro në udhëtimet në vend, ndërsa shqiptarët harxhuan jashtë rreth 1.5 miliardë euro.
/GazetaReforma.com/