Skandali me akordimin e fondeve shumë milionëshe kompanive fantazma për ngritjen e inceneratorëve të mbetjeve në disa qytete kryesore të vendit, që ka përfshirë edhe emra nga politika dhe qeverisja aktuale, është duke u hetuar edhe pse deri tani nuk janë zbardhur shumë detaje.
SPAK ka nisur hetimin për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, dhe po heton për shkelje të barazisë në tenderë.
Këtë muaj pritej që prokuroria të merrte në pyetje personat e përfshirë në tendera, por deri tani nuk janë thirrur personazhe të njohur.
Biznesmeni i inceneratorëve, Klodian Mërtiri, i njohur gjithashtu edhe si “Mirel Mërtiri”, u shpall në kërkim në Zimbabve për korrupsion me një tender të mjeteve mjekësore për Covid-19, me vlerë 60 milionë euro.
Për këtë skandal u arrestua më 19 qershor Ministri i Shëndetësisë i Zimbabves.
Mërtiri i paraqitur në Zimbabve me emrin fals Ilir Dedja, përmes një kompanie “Drax International”, të regjistruar në Zvicër para dy muajsh, dhe me përfaqësues biznesmenin afrikan Delish Nguwaya, i ka shitur qeverisë mjete mjekësore, maska dhe veshje 10 herë më shtrenjtë se tregu.
Denoncimi në SPAK
SPAK ka nisur hetim për inceneratorët pas kallëzimit të nismës “Thurje”. Hetimet e filluara nga SPAK kanë të bëjnë me shkeljet e barazisë me tenderë dhe në krye të këtij hetimi është Prokurori Dritan Prençi.
Mësohet se është kërkuar nga prokuroria disponimi i disa shkresave në disa institucione, si QKB, por është kërkuar edhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nisma “Thurje” në fund të qershorit, ka dorëzuar një kallëzim penal për zyrtarët publik dhe persona të tjerë të përfshirë në koncesionet e inceneratorëve.
Sipas kallëzimit të kësaj nisme, ajo akuzon qeverinë se është kompromentuar në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë ku do ndërtohet inceneratori i Fierit.
“Kallëzim penal për zyrtarët publik dhe personave të tjerë të përfshirë në koncesionet e inceneratorëve, të cilët mund të kenë konsumuar disa vepra penale të parashikuara në Kodin Penal të RSH.
Baza ligjore: Neni 280 dhe 283 i K. Penal, neni 186,248, 258 dhe 287 te K. Penal, Ligji nr. 9754, date 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale te personave juridike”, thuhej në padi.
Nisma “Thurje” pretendon se, gjithë grupi i inceneratorëve në Shqipëri, nga i Tiranës, tek i Elbasanit dhe i Fierit ka lidhje me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të cilët lidhen me kompani të regjistruar jashtë vendit.
Ata akuzojnë zyrtarët e dyshuar si përfshirë në këtë aferë për katër vepra penale:
-Për prishje të garës dhe barazisë në tenderë, keqadministrim të pasurisë publike
-Për falsifikim të objektit të truallit të ndërtimit, shpërdorim të buxhetit të shtetit
-Për evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale
-Për përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar.
Akuzat e politikës për inceneratorët
Përpara nismës “Thurje” për 3 inceneratorët që kanë një kosto të madhe për buxhetin e shtetit, ku vetëm ai i Tiranës do të kushtojë 174 milionë Euro, ka qenë edhe Partia Demokratike që ka bërë një tjetër denoncim publik.
Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, për 3 inceneratorët janë paguar vetëm në muajin Dhjetor 2019 rreth 47 milionë euro.
Ne Qershor, Partia Demokratike e akuzoi qeverinë se i ka paguar 23 milionë Euro inceneratorit të Fierit, ndonëse ai nuk është ndërtuar ende dhe po merr para prej 3 vjetësh nga buxheti i shtetit.
Po sipas Partisë Demokratike, qeveria e kishte mbyllur qëllimisht vend-grumbullimin e mbeturinave në Durrës, për të shtuar me “100 milionë euro” pagesat e inceneratorit të Tiranës.
Hetimet e SPAK pritet të hedhin dritë mbi këto koncesione të shumëpërfolura e mbi të cilat, janë ngritur mjaft dyshime për afera korruptive, e për pastrim parash.
/GazetaReforma.com/