Masakra mjedisore që ka përfshirë Shqipërinë në 25 vitet e fundit po arrin kulmin në këto kohë, ku me dhjetëra zona të mbrojtura po shkatërrohen pikërisht nga dora e njeriut.
Shpesh me leje nga institucionet qendrore, apo me “shkelje syri” nga organet e pushtit lokal, sipërfaqe të tëra pyjore, lumenj, liqene, livadhe, kullota apo pasuri minerare, janë gllabëruar dhe po shfarosen dita-ditës.
Deri tani askush nuk është bërë përgjegjës për këtë shkatërrim masiv që nuk po i lë kohë natyrës të rikuperohet, por për hironi vendi ka Ministri Mjedisi dhe Turizmi, disa agjenci që përgjigjen për mbrojtjen e natyrës, si dhe aderojmë në dhjetëra konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.
Kjo gjë ka ndodhur edhe me pyjet, ku vetëm në 5 vitet e fundit me gjithë moratoriumin në fuqi (për mos prerjen e drurëve), vendit i janë zhdukur përgjithmonë disa qindra hektarë me pyje.
Situata në shifra
Shqipëria është një vend i pasur me pyje e kullota, por sipërfaqja e tyre po ulet nga viti në vit, si rrjedhojë e dukurive natyrore, shfrytëzimit pa kriter, apo edhe zjarreve.
Në vitin 2019, fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihej në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.740.307 (ha) ose 60,5% të sipërfaqes totale të vendit, sipas të dhënave të INSTAT.
Në krahasim me vitin 2015, ky fond është reduktuar me 509 hektarë, sipas tabelave të INSTAT.
Në 2019, pyjet shtriheshin në një sipërfaqe prej 1.051.843(ha) që përfaqëson 60,4% të fondit pyjor dhe kullosor. Kullotat dhe livadhet zinin një sipërfaqe 478.081 (ha) ose 27,5%, të fondit pyjor dhe kullosor.
Sipërfaqet me bimësi pyjore dhe inproduktive që janë pjesë e fondit pyjor, zinin një sipërfaqe 210.382 (ha) ose 12,1% të këtij fondi.
Në sipërfaqen e fondit pyjor dhe kullosor në vitin 2019, si rezultat i dukurive natyrore dhe aktiviteteve njerëzore, ka një rënie me rreth 17 (ha), krahasuar me vitin 2018.
Në vitin 2019, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arrin në rreth 54.846 (000/m3), nga të cilat 94,0% e këtij vëllimi, përbëhej nga pyjet publike dhe 6,0% nga pyjet private. Si pasojë e shfrytëzimeve dhe zjarreve, vëllimi është ulur afërsisht me 31.316 (m3), krahasuar me vitin 2018.
Në fondin pyjor sipërfaqen më të madhe e zënë fletorët me 49,8 %, ndjekur nga të tjera lloje me 35,8% dhe halorët 14,3%.
Zonat e mbrojtura shtohen fiktivisht
Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ato ofrojnë. Ato ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë, ku pjesën më të madhe e zënë parqet kombëtare.
Zonat e mbrojtura në vitin 2019 zunë një sipërfaqe të përgjithshme prej 523.831/ha duke zënë 30,0% të sipërfaqes së fondit pyjor dhe rreth 18,0% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit.
Në vitin 2019, ka pasur ndryshime në numrin e zonave të mbrojtura, pasi për miratimin e listës së rishikuar të monumenteve të natyrës shqiptare, është bërë rishqyrtimi i kësaj kategorie.
Në krahasim me vitin 2015, sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur me gati 10%, por kjo rritje rezulton të jetë fiktrive, sa për t’ju përgjigjur direktivave të BE-së, e cila kërkon nga vendet anëtare mbi 25-28% të territorit të vendit si zona të mbrojtura.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e drejtuar sot nga Zamir Dedeji, ka bërë vërtet me letra vitet e fundit shtimin fiktiv të zonave të mbrojtura, por në një kohë që janë shtuar zona të reja të pakualifikuara si të tilla, janë nxjerrë nga lista zona të tëra të konsideruara më parë si pasuri kombëtare.
Kjo gjë është bërë me qëllim shfrytëzimin e tyre për interesa ekonomike private, si hidrocentrale lokale, miniera, apo për zona pyjore për prerje.
Një rast i tillë është ai me kanionin e Holtës, ose me kanione dhe lumenj të tjerë të vendit, që dalin nga fondi i zonave të mbrojtura për t’u dhënë si koncesione kompanive private që po ngrenë ngado HEC-e private pa studime mjedisore.
Fati aktual i zonave të mbrojtura
Në vitin 2019, sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura e zinin parqet kombëtare me 44,0% të sipërfaqes gjithsej, ndjekur nga rezervatet natyrore të menaxhuara me 32,3%, peizazhet e mbrojtura me 18,6%, zonat e mbrojtura të menaxhuara me 3,5 %, rezervatet natyrore 0,9% dhe monumente natyrore 0,7%.
Në total në Shqipëri gjenden gjithsej 799 zona të mbrojtura, të cilat shtrihen në 16% të territorit të saj, ose e shprehur në njësi të sipërfaqes ato zënë rreth 460060.9 ha, ose e shprehur në kilometra katrorë rreth 4600.6 km2.
Përqindjen më të madhe e zënë zonat e mbrojtura të cilën e kanë Parqet Kombëtare me 7%. Krahasuar me vitin 2005 sipërfaqja e zonave të mbrojtura është rritur me 214 460.9 ha ose 7.5% e sipërfaqes.
Por nga informacionet, kjo sipërfaqe është rritur vetëm si inventar në letër për këto zona të mbrojtura, sepse në realitet shumë nga këto territore ose janë kafshuar ose janë tjetërsuar për qëllime biznesi.
Me nivelim prej 16% të sipërfaqes totale të territorit të vendit si “zona të mbrojtura”, Shqipëria ja kalon edhe Maqedonisë së Veriut, e cila këtë sipërfaqe deri vitin e kaluar e kishte vetëm 9% dhe synon që këtë vit ta çojë deri në 11%.
Por në ndryshim nga Shqipëria ku pyjet vetëm priten dhe lumenjtë vetëm lihen të degradojnë, Maqedonia e Veriut i mbron këto pasuri dhe çdo vit aty mbillen disa milionë drurë në fushata kombëtare pyllëzimi.
/GazetaReforma.com/