Këshilli i Europës me anë të një deklaratë ka reaguar për ligjin për mediat dhe ishte Raportuesi i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europian Stefan Schennach, i cili ka nxitur Kuvendin që të heqë dorë nga ky projekt-ligj.
Schennach thekson se nisma ligjore mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e media për shkak të kushteve të tij dhe kërkon rifillimin e procesit për hartimin nga e para e një nisme të re.
“Legjislacioni i propozuar nga Kryeministri shqiptar si një ‘paketë anti-shpifje’ synon të krijojë një organ administrativ që do të fuqizohet të urdhërojë mediat të heqin raportet e lajmeve për çështje të tilla si ‘cenimi i dinjitetit të individëve’, nën kërcënimin të gjobave të rënda. Është e qartë se një ligj i tillë mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias për shkak të kushteve të tij të gjera. Unë i referohem Opinionit të Komisionit të Venecias Nr. 980/2020 të datës 19 qershor 2020, i cili thotë qartë se ligji vuan nga paqartësia dhe do të ketë të ngjarë të ketë një” efekt ftohës “, duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalën politike në sektorin shqiptar të internet. Unë ndaj mendimin e Komisionit të Venecias se teksti i projekt-amendamenteve, nëse nuk rishikohet shumë, rrezikon t’i bëjë më shumë dëm sesa dobi lirisë së shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave në internet. Prandaj, unë e nxis parlamentin shqiptar të heqë dorë nga propozimet aktuale dhe të rifillojë të gjithë procesin,” tha Schennach.
Ndërkohë ambasadori i BE, Luigi Soreca ka kërkuar që qeveria të përfshijë të gjitha rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias në paketën antishpifje.
Ambasadori Soreca vlerëson angazhimin e mazhorancën për të adresuar të gjitha çështjet në këtë ligj, ndërsa kërkoi nga ajo që të zhvillojë të gjitha konsultimet e duhura me organizatat e mediave dhe shoqërinë.
“Çdo amendament në draftin e ligjit antishpifje duhet të jetë në një linjë me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias për këtë çështje. Autoritetet shqiptare kanë shprehur angazhimin e tyre për të vijuar punën me këtë ligj për të adresuar të gjitha çështjet e theksuara në opinionin e Venecias. Kemi ndjekur deklaratat e bëra nga mazhoranca një ditë më parë e cila angazhohet se do të ndjekë të gjitha këto rekomandime dhe se do të zhvillojë konsultimet e duhura. Inkurajojmë autoritetet shqiptare të ndërmarrin konsultime me organizatat e mediave dhe shoqërinë civile për të marrë në konsideratë opinionin e tyre. Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë ligj kaq të rëndësishëm në mënyrë që paketa të jetë në linjë me të gjitha standardet e nevojshme europiane dhe ndërkombëtare”, shkruan Soreca në Twitter.
Any amendments to the draft #antidefamation law should be in line with the recommendations made by the @VeniceComm (VC) on the matter. The #Albanian🇦🇱 authorities have committed to continue working on this law to address all the issues outlined in the VC Opinion. We take..1/3
— Luigi Soreca🇪🇺 (@LSorecaEU) September 17, 2020
Në lidhje me këto deklarata ka reaguar edhe presidenti i vendit Ilir Meta, i cili ka publikuar deklaratën e Këshillit të Europës në lidhje me paketën anti-shpifje të iniciuar nga shumica socialiste, për të cilën ‘Venecia’ kërkoi ndërhyrje.
Duke publikuar deklaratën e KiE, Meta thekson se për këtë gjë duhet reflektuar menjëherë dhe çdo kokëfortësi na penalizon në rrugën për integrimin europian.
“Duhet reflektuar sa më parë! Çdo kokëfortësi, jo vetëm që nuk i shërben çeljes së negociatave, por nuk do të frikësojë askënd. Përkundrazi!’, shkruan Meta.
Ndërkohë një ditë më parë shtatë organizata të të drejtave të njeriut i dërguan një letër të hapur Parlamentit të Shqipërisë.
Në letrën e publikuar në faqen e internetit të ECPMF-së thuhet se arsyeja e kësaj letre është për të ngritur shqetësimin mbi planet e Kuvendit për të injoruar problemet e ngritura nga Opinioni i Komsionit të Venecias dhe për të nisur një proces transparent që trajton rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Ne po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të rëndë mbi planet e dukshme të Kuvendit të Shqipërisë për të injoruar problemet e ngritura nga Opinioni i Komisionit të Venecias nr. 980/2020 i 19 qershorit 2020, duke kërcënuar më shumë lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes dhe informimit në Shqipëri.Ne ju nxisim ju të rimendoni për procedurën e ligjit aktual dhe në vend të kësaj të nisni një proces transparent që krijon një legjislacion të përshtatshëm që trajton të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe përfshin shoqërinë civile dhe përfaqësues të medias përgjatë të gjithë procesit.”
Shqetësimi i organizatave lidhet me faktin që parlamenti ka në axhendë të shqyrtojë ligjin vetëm në kuadër të nenit 86 të Rregullores së Kuvendit, e cila sanksionon se parlamenti duhet të trajtojë vetëm shqetësimet e ngritura nga dekreti i presidentit Meta.
Organizatat vërejnë se dekreti i presidentit nuk përfshin të gjitha shqetësimet e ngritura nga Opinioni i Komisionit të Venecias, gjë që do të sillte për rrjedhojë një ligj jo në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Paketa “Anti-Shpifje” është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë javën e fundit të dhjetorit edhe pse ndaj saj kishte reagime të forta si nga opozita dhe komunitetet ndërkombëtare të gazetarisë.