Shqipëria ofron burime të shumta për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme nga era dhe dielli, por edhe burokracitë për zhvillimin e këtyre bizneseve janë të shumta.
Ato pengojnë shumë kompani që të futen seriozisht me investime në këtë sektor, duke bërë që kompani të ndryshme të paraqesin vetëm projekte që mbeten sirtarëve të ministrive.
Interesi për ndërtimin e impianteve për prodhimin e energjisë nga era nuk ka munguar në vendin tonë, por deri më sot asnjë projekt nuk është konkretizuar.
Edhe pse të nxitura në të njëjtën kohë më shumë interes ka pasur drejt impianteve fotovoltaikë deri në 2MW, projekte që sot një pjesë janë në prodhim dhe deri në fund të qershorit kishin prodhuar 22 mijë MW/h energji.
Por duket se muajt e fundit ka një zgjim të interesit për impiantet eolikë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri me dije se, zonat që përfshijnë projektet që janë aktualisht në fazë shqyrtimi, janë në zonën e Himarës dhe Fierit.
MIE bëri me dije se: shoqëria “NATURAL ENERGY SYSTEM” sh.p.k ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë saj përmes një aplikimi për ndërtimin e një impianti eolik, për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në zonën e Semanit, Bashkia Fier, Qarku Fier.
Me herët ishte interesi nga shoqëria “SPARK WIND” sh.p.k që sipas MIE, ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, në Zonën e Pilurit, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë.
Sipas legjislacionit, impiantet fotovoltiakë deri në 2MW dhe ato eolikë deri në 3MW, mund të kalojnë vetëm më miratim të ministrit përgjegjës pa pasur nevojë që të kalojnë në qeveri, sikurse ndodh me konceisonet tipike.
Pas miratimit të kuadrit që nxiste këto impiante, Enti Rregullator i Energjisë, miratoi çmimin e energjisë për këtë kategori.
Ky çmim është rishikuar tre herë për fotovoltaikët, duke arritur në 71.2 euro/MW/h, ndërkohë që për eolikët u rishikua vetëm në muajin gusht, duke u vendosur 75.64 euro/MW/h nga 76 euro/MW/h që ishte më herët.
/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/