Në operacionin “Starova”, së bashku me gjyqtaren e komanduar të Apelit në Korçë, avokatin dhe sekserët, është arrestuar edhe bashkëshorti i gjyqtares Mimoza Margjeka, Arben Cara, i cili është edhe dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Margjeka, me detyrë gjyqtare, nëpërmjet bashkëshortit të saj, dekanit Cara, ka marrë një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.
Gjykata e Posaçme dha masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj Arben Carës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Starova”.
Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Korçë, nën drejtimin e SPAK-ut.
Vihen në pranga 5 shtetas
Drejtoria Hetimore Qendrore, pas një hetimi disamujor, nën drejtimin e SPAK-ut, finalizoni operacionin policor të koduar “Starova”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit:
- C, banues në Tiranë, me detyrë dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, i cili u arrestua për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (bashkëshorti i gjyqtares);
- B. banues në Sauk, Tiranë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (vëllai i të dënuarit që iu ndryshua masa e sigurisë).
- Zh., banues në Korçë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (pronari i hotelit ku iu dorëzua shuma e eurove bashkëshortit të gjyqtares).
Gjithashtu u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit:
- M., banuese në Tiranë, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës dhe e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
- D., banues në Tiranë, avokat në Dhomën e Avokatisë në Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë ligjore për një rast të korrupsionit gjyqësor, referoi materialet në SPAK, për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionareve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasi i gjyqtarëve , prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Mbi bazën e materialeve të referuara SPAK regjistroi procedimin penal dhe si rezultat i hetimeve u arrit të dokumentohej një rast korruptiv në gjyqësor.
Gjyqtarja M. M., duke abuzuar me detyrën, kundrejt përfitimit të 6 mijë eurove, ka bërë ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit Korçë për të arrestuarin O. B., i arrestuar për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, nga “Arrest në burg” në garanci pasurore 500.000 lekë.
Shtetasi N. B., banues në Sauk, vëllai i të arrestuarit kishte pajtuar si avokat mbrojtës për vëllanë e tij shtetasin O. B., avokatin S. D., i Dhomës së Avokatisë Tiranë, i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë.
- ZH., mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove, duke i premtuar se bashkëshortja do të bënte ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në garanci pasurore, masë e cila ishte vendosur nga Gjykata e Apelit për të arrestuarin O. B.
Drejtoria Hetimore Qendrore, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rast korruptiv.