Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Becaj, e cila sot mban detyrën e anëtares së Gjykatës së Apelit Tiranë, ka dalë sot në një seancë dëgjimore para Vettingut. Mirëpo, rezulton, se Beçaj ka probleme me dorëzimin e disa formularëve, pasi ajo nuk i ka dorëzuar në kohë.
Sipas KPK, Beçaj nuk ka depozituar në KLD formularin për vetëvlerësimin profesional as brenda afatit, dhe as më pas, në kohën kur do të bëhetj gjyqtare e Apelit të Tiranës.
Po ashtu, nuk ka dorëzuar në KPK ndonjë kërkesë për rivlerësimin e pasurisë, figurisë dhe aftësive profesionale. Ndërkohë ajo detyrën në Apel e ka marrë pikërisht kur kishte nisur Vettingu.
Një tjetër formular me të cilin ka probleme Beçaj, është deklarata e pasurisë që nuk i është dorëzuar në ILDKPI duke mospërmbushuar detyrimet ligjore dhe as në DSIK Becaj nuk e ka dorëzuar formularët.
‘’Unë e kam konsideruar veten time si gjyqtare, pasi nuk ka pasur asnjë akt që të konstatojë të përfundimin apo ndërprerjen e statusit tim si gjyqtare, por nga ana tjetër unë nuk ushtroja funksionin e gjyqtares. Kjo për faktin se KLD nuk merrte në shqyrtim kërkesën time për t’u emëruar në Apel. Unë kam shkuar në ILDKPKI për të depozituar formularët, por më kanë thënë që nuk isha pjesë e subjekteve.’’- deklaroi Becaj para KPK.
Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Shpresa Beçaj pritet të vlerësohet nga KPK për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale dhe çështja e saj do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Suela Zhegu, Roland Ilia dhe Lulzim Hamitaj.
Emri i Beçajt u përmend në një kontekst komprometues nga Ilir Meta në videoskandalin në zyrën e Dritan Priftit, publikuar në vitin 2011, duke tronditur opinionin publik dhe bërë bujë edhe në arenën ndërkombëtare.
Shpresa Beçaj ishte pjesë e një turpe gjykuese në Apel, e cila la në fuqi vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku, për mbylljen e dosjes së Lulzim Bashës për lobimin rus. Treshja ‘vulosi’ dosjen e lobimit, duke pushuar akuzën ndaj Lulzim Bashës, lidhur me pretendimet e prokurorisë për falsifikimin e dokumenteve në rastin e mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve që kompania amerikane Muzin Capitol Partners kishte pohuar se kishte marrë për aktivitetet në favor të Partisë Demokratike.