Gati gjysma e shqiptarëve (49%) po mendojnë seriozisht që të largohen nga vendi dhe kjo për arsye nga më të ndryshmet, por kryesorja vazhdon të ngelet ekonomia e ulët.
Sipas një sondazhi të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), kjo është përqindja më e lartë në rajon.
Shqipëria është e vetmja në rajon ku numri i atyre që duan të largohen ia kalon atyre që duan të qëndrojnë (49% kundrejt 46%, ndërsa 5% u përgjigjën që nuk e dinë).
Sipas “Monitor.al”, shqiptarët kanë dhe përqindjen më të lartë të atyre që jo vetëm duan të ikin, por edhe kanë ndërmarrë hapa konkrete për ta bërë këtë.
“33% e atyre që konsiderojnë të largohen, po informohen në mënyrë aktive rreth mundësive dhe alternativave që ata kanë, më e larta nga gjithë shtetet e tjera. 14% po shqyrtojnë dhe po aplikojnë për vende të lira pune, 4% pohojnë se kanë konkretizuar gjithçka dhe aktualisht po përfundojnë çështjet administrative”.
Duke renditur problematikat që shqetësojnë vendet nga papunësia te korrupsioni dhe mbrojtja e natyrës dhe trashëgimisë, barometri i Ballkanit tregon se papunësia, zhvillimi ekonomik mbajnë rekordin e shqetësimeve në rajon.
Korrupsioni ndërkohë renditet i treti, por prevalenca e tij në rajon po rritet dhe në anketën e fundit me 31 për qind në raport me atë të vitit 2018.
Situata e vështirë lidhet edhe me krizën e pandemisë që këtë vit goditi shumë sektorin e shërbimeve dhe transportit në vend.
Kjo bëri që baret dhe restorantet të ishin sektori i parë që u godit nga efektet e karantinimit, pas masave drastike të marra nga qeveria për të kufizuar përhapjen e infeksionit të Covid-19.
Shumë prej këtyre bizneseve u detyruan të mbylleshin, dhe kjo solli largimin nga puna të shumë personave të punësuar.
Bizneset janë jashtëzakonisht të prekura, pasi kanë qira të larta, dhe ky sektor duhet të përfitojë edhe uljen e TVSH-së.
Edhe sektori i transportit, po i vuan shumë pasojat e krizës së shkaktuar nga Covid-19.
Shumë punonjës të punësuar në këtë sektor janë mbajtur për më shumë se tre muaj vetëm me një pagë lufte dhe të ndodhur midis vështirësish, here pas here kanë zhvilluar edhe protesta para Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, duke parashtruar kërkesat e tyre.
Transporti ndërqytetas ka tre ditë që ka nisur, e ndërsa ai publik në Tiranë ende nuk ka nisur, pasi nuk është rënë dakord për protokollin e masave strikte që duhen ndjekur kundër koronavirusit .