Presidenti Ilir Meta ka kthyer një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend ditën e sotme.
Bëhet fjalë për ligjin për Nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit” dhe në dekretin e firmosur kërkon rishqyrtim të ligjit nga deputetët, pasi sipas tij ka shumë paraqartësi.
Kreu i vendit argumenton se ky akt i ri ligjor shkel nenet 11, 41, dhe 155 të Kushtetutës dhe në disa nene të tij njëkohësisht, përmban parashikime që bien ndesh me legjislacionin aktual në fuqi, duke mosrespektuar për pasojë edhe nenin 116 të Kushtetutës që përcakton hierarkinë e akteve në Republikën e Shqipërisë.
Më tej, ai arsyeton se përmes këtij ligji, bashkitë heqin dorë nga ushtrimi i funksioneve të veta të detyrueshme dhe të padelegueshme, për t’ia kaluar për ushtrim një organizate jofitimprurëse, në kundërshtim me kërkesat e ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.
Kreu i Shtetit jep edhe arsyet e këthimit të këtij ligji, duke u shprehur se shkel parimet kryesore kushtetuese të:
– lirisë së veprimtarisë ekonomike;
– ushtrimit të së drejtës së pronës private me gjitha tagrat e saj (zotërimin);
– mënyrës së caktimit të taksave dhe tarifave vendore;
– mënyrës së administrimit të fondeve publike dhe të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të detyrueshme të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Më tej, Presidenti Meta sqaron se ky ligj krijon detyrime rënduese për biznesin e vogël, duke i vënë para një skeme të taksimit të dyfishtë.
ARSYET E KTHIMIT TË LIGJIT NR. 63/2020 “PËR PËRMIRËSIMIN E ZONAVE TË BIZNESIT (BID)”
Të nderuar deputetë!
Në seancën plenare të datës 14 maj 2020 Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”. Ky ligj me shkresën nr. 1308 prot, datë 19.05.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Sipas dokumentacionit parlamentar rezulton se projektligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e një mekanizmi ku poseduesit e njësive tregtare, të cilat përdoren për qëllime biznesi, të nxiten të marrin pjesë në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës që sipas këtij ligji quhet “BID”, nëpërmjet kontributeve private, të cilat përdoren për shërbime shtesë për bizneset në zonën BID përkatëse.
Nga shqyrtimi në tërësi i ligjit nr. 63/2020, vlerësohet se ky akt shkel parimet kryesore kushtetuese të:
– lirisë së veprimtarisë ekonomike;
– ushtrimit të së drejtës së pronës private me gjitha tagrat e saj (zotërimin);
– mënyrës së caktimit të taksave dhe tarifave vendore;
– mënyrës së administrimit të fondeve publike dhe të ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të detyrueshme të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Në këtë mënyrë, ky akt i ri ligjor, përveç se shkel nenit 11, 41, dhe 155 të Kushtetutës, në disa nene të tij njëkohësisht, përmban parashikime që bien ndesh me legjislacionin aktual në fuqi, duke mosrespektuar për pasojë edhe nenin 116 të Kushtetutës që përcakton hierarkinë e akteve në Republikën e Shqipërisë.