Turizmi është padyshim një nga sektorët më të goditur nga pandemia, e sidomos në vendin tonë, ku ekonomia mbështetet tek ky sektor.
Herë pas here kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit Blendi Klosi, janë shprehur se turizmi këtë vit do jetë lokal për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, por kjo gjë nga ana tjetër do i bëjë mirë vendit tonë.
Mbrëmjen e djeshme , kreu i qeverise la të kuptohet se pushimet këtë verë do jenë ndryshe, pasi plazhet do jenë publike, nuk do ketë protokolle sigurie të forta sikundër u parashikua dhe po ashtu nuk do mund të dalim jashtë vendit.
Pavarësisht, se turizmi lokal këtë verë supozohet t’i japë “një dorë” turizmit, vlen të theksohet se kriza që ka kapluar këtë sektor nga pandemia është e thellë.
Së fundmi, Shoqata e Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjentëve Turistikë i ka bërë disa kërkesa qeverisë shqiptare për të filluar rimëkëmbjen e sektori të turizmit.
Shoqata i cilëson këto masa si mënyra e vetme për ta rikthyer sektorin në punë, i cili përvec koronavirusit, është goditur edhe nga tërmeti i 26 nëntorit .
Kështu, Shoqata e Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjentëve Turistikë kërkon më shumë mbështetje financiare për operatorët turistikë, ku propohet rimbursimi për ardhjen e turistëve të huaj, rimbursimi i TVSH-së për bizneset e sektorit dhe zgjerimi i paketës së ndihmës për punonjësit në disa degë të tjera.
Në një pikë tjetër, kërkohet gjithashtu më shumë përpjekje nga qeveria për turizmin dalës, si lidhja e marrëveshjeve me shtetet e BE-së për të hequr masat e karantimit të detyrueshëm.
Ndërsat, sa i përket turizmit hyrës, kërkohet hapja sa më e shpejtë e kufijve dhe lejimi i krocierave në brigjet shqiptare.
Kjo shoqatë përmend gjithashtu, edhe turizmin kulturor e historik, që pritet të jetë i frenkuentuar këtë verë në mungesë të aktiviteteve të tjera.
Andaj, qeverisë i kërkohet fokus i veçantë tek vizitat në muze dhe sitet kulturore, për të ulur çmimin e tarifave dhe bonuse për turoperatorët.
Shoqata thekson nevojën e plotësimit të kuadrit ligjor, duke i bërë thirrje qeverisë për të vazhduar me përfundimin e Ligjit të Turizmit, që bën të mundur edhe përfshirjen e mekanizmave financiare mbrojtëse për situata të tilla emergjente.
Më herët edhe Shoqata shqiptare e Turizmit ka parashtruar 5 kërkesa për qeverinë:
1.Ndihmën financiare, me qëllim mbajtjen në punë të punëtorëve.
2.Subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore
3.Sigurimin e likuiditetit përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin.
4.Anullimin apo shtyrjen e detyrimeve tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht, si në kohë “paqeje”.
5.Bashkëpunim me vendet e tjera, sidomos me fqinjët, për rakordimin e politikave dhe hapjen e mundësive për turizëm.