Turizmi është padyshim një nga sektorët më të goditur nga pandemia, e sidomos në vendin tonë, ku ekonomia mbështetet tek ky sektor.
Herë pas here kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit Blendi Klosi, janë shprehur se turizmi këtë vit do jetë lokal për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, por kjo gjë nga ana tjetër do i bëjë mirë vendit tonë.
Së fundmi, drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit janë takuar me kryedemokratin Lulzim Basha, ku kanë ndarë shqetësimim e tyre për mungesën e një plani nga qeveria.
Lajmin e ka bërë me dije Basha, i cili shkruan në Facebook se drejtuesit e kësaj Shoqate i ka thënë gjithashtu se nga qeveria nuk ka asnjë ndihmë financiare për turizmin, madje as nga garancia sovrane nuk ka përfituar ky sektor.
Më tej, kreu i opozitës shkruan se mes ankesave të tjera është edhe mungesa e ndihmës për operatorët: Operatorët nuk janë ndihmuar për pagat e punonjësve ndërsa mijëra familje e qytetarë që mbahen me të ardhurat nga turizmi janë lënë jashtë paketës së parë dhe të dytë.
Ata parashtruan 5 kërkesa, nga ndihma financiare deri tek anulimi apo shtyrja e detyrimeve tatimore:
1.Ndihmën financiare, me qëllim mbajtjen në punë të punëtorëve.
2.Subvencionimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore
3.Sigurimin e likuiditetit përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin.
4.Anullimin apo shtyrjen e detyrimeve tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht, si në kohë “paqeje”.
5.Bashkëpunim me vendet e tjera, sidomos me fqinjët, për rakordimin e politikave dhe hapjen e mundësive për turizëm.
Basha i ka siguruar se do të bëjë çmos që zëri i tyre të dëgjohet, me qëllim mbështetjen e turizmit.
Statusi i plotë:
Sot prita drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit. Presidenti i shoqatës Enver Mehmeti, Kryetar i Sektorit të Hoteleve Zak Topuzi dhe Kryetari i Sektorit te Agjensive Turistike Sokol Hoxha më shprehën shqetësimin e thellë për krizën dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria për sektorin e turizmit. Sektori i turizmit ka aktualisht të punësuar 93 000 persona dhe në rrjetin zinxhir të tij pothuajse 200 000 të tjerë, çka e bën edhe më jetike ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë në mbështetje të turizmit. Deri më sot, operatorët nuk kanë përfituar mbështetjen për pagën e punonjësve dhe nuk kanë arritur as të përfitojnë nga garancitë sovrane, për shkak të vonesave në nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria. Veç humbjeve të muajve të karantinës, shumica e prenotimeve për sezonin e ri janë anulluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Ne i mbështesim kërkesat e tyre të drejta dhe i kërkojmë qeverisë ti marrë ato në konsideratë sa më parë: 1.Të garantohet ndihma financiare me qëllim mbajtjen në punë të punëtorëve. 2.Të jepet subvencionim i plotë dhe në kohë për kontributet shoqërore dhe shëndetësore. 3.Të sigurohet likuiditeti përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin. 4.Të anullohen/shtyhen detyrimet tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht si në kohë “normale”. 5.Të bashkëpunohet ngushtë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera fqinje, për të garantuar flukse të ndërsjellta turistësh dhe shtuar mundësitë për turizmin shqiptar.