Ka rënë sërish numri i të infektuarve në vendin tonë, pasi Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 14 raste të reja, duke e çuar në 726 numrin total të të prekurve.
Kjo është fundjava e gjashtë që Shqipëria hyri në shtetrrethimin 60 orësh, nga e premtja në orën 17.30 deri të hënën në 05.30 të mëngjesit.
Sakaq, nesër rifillojnë punën gjykatat dhe biznesi i vogël, aty ku nuk paraqitet rrezik i lartë infektimi dhe me masa sigurie shëndetësore.
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, që prej më shumë se 45 ditësh është në vijën e parë të “zjarrit”, ka thënë në një intervistë për “DW” se tashmë jemi futur në një faze të dytë dhe se treguesit kryesorë të kësaj faze shfaqen në dy aspekte:
“Në aspektin epidemiologjik dhe atë klinik. Në aspekin e parë vlerësohen – koha që ka kaluar nga rasti i parë që u prek me COVID – 19, ecuria e epidemisë në bazë të numrit të rasteve të reja të konfirmuara dhe piku i saj, që për viruset respiratore përkon nga java e katërt deri në javën e gjashtë. Në aspektin klinik tregues është numri i shtrimeve në spital që tregon për ecurinë e butë të epidemoisë, uljen e kurbës së rasteve të shtruara dhe rritjen e rasteve të shëruara. Ndërkohë që rastet e rënda me rrezik jete, kanë filluar të ulen”.
Ai thekson se kjo fazë është më e gjatë se e para dhe barrën më të rëndë e ka shërbimi epidemiologjik, që duhet të hetojë në mënyrë inteligjente për të parandaluar shpërthimin e vatrave të reja.
Sakaq, sipas Piperos, shërbimi spitalor pritet të jetë më i lehtësuar, nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë si deri më tani rregullat, që edhe pse disi të lehtësuara nuk duhet të ulin vigjilencën dhe kujdesin.
“Rastet e reja janë asimptomatike (pa simptoma), kontakte të kontakteve me të infektuarit zbulohen nga shtimi i testimeve. Kemi më shumë raste pozitive, por më pak të sëmurë. Ky është një trend normal dhe i qëndrueshëm i epidemisë, që mendoj se është menaxhuar më mirë sesa në vende të tjera të rajonit”.