Tre ditë më parë një trup prej 30 mjekësh dhe infermierësh u nisën drejt Italisë, për tu ardhur në ndihmë kolegëve të tyre në Bergamo, teksa u pëcollën e u pritën në mënyre cermoniale.
Ky gjest u mirëprit dhe u komentua shumë në shtetin fqinj, teksa fjalimi i kryeministrit Edi Rama jo vetëm që ka prekur shoqërinë italiane, por ka pushtuar edhe mediat.
Mirëpo, teksa çdo gjë duket kaq mirë përtej Adriatikut, në vendin tonë prej disa orësh janë ngjallur polemika rreth njërit prej mjekëve pjesë e grupit të dërguar në Bergamo.
“Dosja.al” raportoi se infermieri Qazim Ismaili është pompist dhe nuk ka eksperiencë në mjekësi por ka kryer vetëm një kurs, gjë e cila ka ngjallur shumë debate.
Teksa Ministria e Shëndetësisë nuk ka reaguar zyrtarisht, por disa media të tjera kanë publikuar licensën e Urdhërit të Infermierit që ka marrë Ismaili në 2017-ë dhe në dokument thuhet se Ismaili ka mbaruar Infermierinë në vitin 1993.
Mirëpo ka qenë gazetari Klodian Tomorri që ka reaguar menjëherë, duke thënë se Infermieria është hapur në vitin 1994 dhe më parë ka qenë vetëm një kurs.
Kjo deklaratë e gazetarit u shoqërua nga një reagimi nga Urdhëri i Infermierëve të Shqipërisë, ku sqarohet se Ismaili nuk e ka ushtruar kurrë profesionin.
“Qazim Ismaili është një nga 6000. Nuk ka patur mundësi që ta ushtrojë profesionin e tij. Qazim Ismaili u diplomua dhe licensua në vitin 2017. Ismaili aplikoi në portal për infermier vullnetar drejt Italisë. Ai është nisur me grupin prej 30 mjekëve e infermierëve që shkuan drejt Italisë, për të ndihmuar në luftën ndaj Coivd-19”, shprehet UISh ndër të tjera.
Më pas, “Dosja.al” ka komunikuar me Ismailin, i cili ka pranuar se ka punuar për 5 vite pompist në karburant, por shprehet se ka punuar në Itali në shtëpi kurimi dhe qendra private si vullnetar.
“Nuk e mohoj që kam punuar pompist. Kam 5 vite pompist. Kam punuar edhe një kohë në spital. Në Itali kam punuar në shtëpi kurimi, (popullore), qëndra private. U ktheva në Shqipëri sepse kisha familjen. Kam punuar nëpër klinika private pa licensë, kam punuar si vullnetar. Urdhërin e infermierit e kam marrë në vitin 2017,”-tregon ai.
Së fundmi, gazetari Ardit Rada është përfshirë në këtë çështje dhe me anë të një shkrimi për ‘Gazeta Tema’ shkruan se nuk do të tregojë asgjë rreth formimit të tij profesional, por të thojë disa të vërteta rreth Ismailit të cilin pretendon se e njeh personalisht.
Rada shkruan se ‘Bashkia Vorë nuk ka spital që të kërkojë infermierë. Si çdokush, as Qazimi nuk ka patur interes të bëjë rrugën Vorë-Tiranë-Vorë për rrogën e infermierit dhe e vetmja mundësi ka ngelur punësimi në një karburant në fshatin ku jeton.’
Gazetari shkruan se Ismaili ka punuar 4 vite në Spitalin Ushtarak, 9 vite në Spitalin Nr.2 dhe 5 vite si infermier në Itali.
Sipas Radës, infermieri është kthyer nga Italia në vitin 2008 pasi 3 fëmijët e tij u plagosën nga tragjedia e Gërdecit, teksa njëra prej vajzave të tij ka probleme me zemrën.
Në këto kushte, gazetari e vlerëson shumë faktin që Qazimi ka lënë fëmijët e tij të sëmurë për t’i ardhur në ndihmë Italisë dhe i quan të pabaza artikujt e bërë deri tani.