Teksa të gjitha vendet po luftojnë me COVID-19, Kosova po përballet edhe me një krizë të thellë politike, pasi ‘qeveria Kurti’, e cila u formua 3 muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ra pas 51 ditësh në pushtet, duke u bërë qeveria me jetëshkurtër.
Pas një seance maratonë, Kuvendi votoi me 82 vota pro, 32 kundër dhe 2 abstenime për rrëzimin e qeverisë, pasi LDK inicioi ‘mocionin e mosbesimit’ duke u përkrahur nga të gjitha partitë opozitare dhe minoritetet, teksa të vetmit që votuan kundër ishte partia Vetëvendosja.
Shkak për “mocionin e mosbesimit” u bë shkarkimi i ministrit të Brendshëm Agim Veliu, pasi ai i doli kundër qeverisë dhe kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përhapur panik.
Gjatë seancës maratonë, kreu i VV tha se Veliu kishte kohë që i dilte kundër qeverisë dhe provokonte me qëndrimet e tij, duke hedhur akuzat se çdo gjë ka qenë e mirëmenduar teksa vijoi me tej duke shtuar se LDK do të bëhet palë me Richard Grenell dhe presidentin Thaçi për të shkëmbyer territoret e Kosovës me Serbinë.
Mbrëmjen e djeshme erdhi edhe reagimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara që ndonëse në dukje sqaronte se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, viheshin re nota kritike ndaj Kurtit.
“Vazhdojmë t’u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin tarifat tërësisht. Besojmë se tarifat po dëmtojnë qytetarët e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe pengimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme, dhe duke penguar rritjen ekonomike. Duam ta bëjmë të qartë, se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa.”-thuhej ndër të tjera në njoftim.
Së fundmi, lidhur me këtë deklratë ka reaguar qeveria në detyrë e Kosovës, ku në një njoftim nga Kryeministria thuhet se ky është lajmi i mirë dhe këtë qeveria e Kosovës e sheh si rikonfirmim së SHBA-të do të jenë edhe më tutje pranë popullit të Kosovës.
Ndër të tjera, thuhet se :“Por, për ne thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit, razgraničenje, etj.) vazhdojnë të jenë kërcënim, dhe që nga gushti i vitit 2018, ato janë përsëritur nga dy presidentët të cilët kanë vendosur lidhje të shkurtër me njëri-tjetrin pa ndërmjetësim ndërkombëtar.”
Më tej, theksohet se dialogu mes dy vendeve duhet të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës dhe duhet të ketë reciprocitet “Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga Qeveria, përkatësisht Kryeministri i Republikës së Kosovës, sipas parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dialogu duhet të rifillojë i përgatitur mirë, të ketë qëllim njohjen e ndërsjelltë si dy shtete sovrane dhe me integritet territorial, për marrëveshje të qëndrueshme si garant për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe paqe e siguri në rajon.”
Njoftimi i plotë:
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës e vlerëson Deklaratën e Përbashkët nga i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett, si rikonfirmim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë pranë popullit të Kosovës, dhe se ato mbështesin angazhimin e institucioneve tona shëndetësore për tejkalimin e situatës me COVID-19. Në të njëjtën kohë, thirrjet e tyre për t’u respektuar Kushtetuta, çmohen po aq lart.
Mbi çështjen e tarifës, me vendimin e Qeverisë së datës 20.03.2020 kemi bërë një hap të rëndësishëm duke liruar nga tarifa 100% produktet e lëndës së parë të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Për Qeverinë në detyrë të Republikës së Kosovës është tejet i rëndësishëm fakti se në Deklaratën e Përbashkët thuhet se nuk ekziston një plan i fshehtë për ripërcaktim kufijsh dhe se i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë.
Kjo paraqet një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë. Por, për ne thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit, razgraničenje, etj.) vazhdojnë të jenë kërcënim, dhe që nga gushti i vitit 2018, ato janë përsëritur nga dy presidentët të cilët kanë vendosur lidhje të shkurtër me njëri-tjetrin pa ndërmjetësim ndërkombëtar.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga Qeveria, përkatësisht Kryeministri i Republikës së Kosovës, sipas parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dialogu duhet të rifillojë i përgatitur mirë, të ketë qëllim njohjen e ndërsjelltë si dy shtete sovrane dhe me integritet territorial, për marrëveshje të qëndrueshme si garant për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe paqe e siguri në rajon