Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar projektligji për reformën në Policinë e Shtetit.
Sipas tij, punonjësit që kanë 30 vite vjetërsi pune dalin në pension në moshën 55-vjeçare.
Shqiptraja.com ka siguruar projektligjin që u miratua nga qeveria dhe që vitin tjetër pritet të kalojë në Kuvend.
Referuar këtij dokumenti, projektligji ka si qëllim tu garantojë trajtim financiar punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, në rast të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.
613 punonjës plotësojnë kriteret për përfitim të trajtimit financiar.
Nga këta, 585 janë punonjës të Policisë së Shtetit (398 inspektorë), 21 nga Garda e Republikës dhe 7 nga SHÇBA-ja.
Inspektori parashikohet që të përfitojë 26,200 lekë në muaj, ndërsa gradat e larta rreth 29,297 lekë në muaj.
Efekti financiar vjetor duke filluar nga viti 2020 është 215,506,116 lekë.
Kriteret që duhen plotësuar, për të përfituar pensionin:
1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfiton trajtimin financiar sipas këtij ligji, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, kur:
a) ka mbushur moshën 55 vjeç;
b) plotëson 30 vite vjetërsi shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat apo në struktura të tjera shtetërore me gradë.
2.Trajtimi financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
3.Gjatë periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare, pensioni nuk duhet të kalojë masën e pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.
4.Trajtimi financiar përfitohet me kërkesë të punonjësit ose të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përzgjedhja e përfituesve bëhet nga Komisioni i Posaçëm, sipas kritereve të moshës, të vjetërsisë në shërbim, aftësisë fizike të punonjësve dhe duhet të garantojë respektimin e parimeve të mosdiskriminimit, të objektivitetit, të transparencës dhe të paanshmërisë.
5.Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Posaçëm përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Megjithatë, pension mund të ndërpritet.
Kjo ndodh në rastet kur ata refuzojnë të aktivizohen në shërbim deri në 700 orë në vit, me të njëjtat të drejta e detyrime si punonjësit e tjerë.
Ndërkohë që trajtimi financiar ndërpritet kur përfituesi rikthehet në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe në rastet kur punësohet në sektorin publik.
Në projektligj theksohet se trajtimi financiar, i përfituar nga ky ligj, nuk prek përfitimet që i lindin punonjësit të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, nga legjislacioni në fuqi.