Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen gjithnjë e më shumë me plakjen e shpejtë të popullsisë, një zhvillim që pritet të rrisë ndjeshëm nevojën për shërbime të kujdesit afatgjatë.
Raporti i fundit i Bankës Botërore paralajmëron se sfida kryesore për vendet e rajonit do të jetë garantimi i kujdesit për popullsitë që po shkojnë drejt asaj që njihet si “superplakje”.
“Kërkesa për shërbime të kujdesit afatgjatë (LTC) është tashmë e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe pritet të rritet me shpejtësi, ndërsa popullsia vazhdon të plaket,” thuhet në raport.
Kujdesi afatgjatë përfshin “shërbime dhe përfitime për personat që, për shkak të kufizimeve fizike ose mendore për një periudhë të gjatë, kanë nevojë për mbështetje në aktivitetet e përditshme ose për kujdes të vazhdueshëm”. Përkufizimi i këtyre shërbimeve ndryshon sipas vendeve dhe institucioneve.
Të dhënat e raportit tregojnë një situatë shqetësuese. “Rreth 16 për qind e personave mbi 65 vjeç raportojnë vështirësi të mëdha në kryerjen e aktiviteteve bazë të përditshme, ndërsa 32 për qind të tjerë raportojnë disa vështirësi.”
Në vendet e Ballkanit Perëndimor, të moshuarit përbëjnë tashmë “rreth 9-19 për qind të popullsisë në nivel kombëtar”. Ky presion demografik pritet të rritet ndjeshëm gjatë dekadave të ardhshme.
Sipas Bankës Botërore, “Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia pritet të klasifikohen si vende ‘super të plakura’ (me të paktën 20 për qind të popullsisë mbi 65 vjeç), ndërsa deri në vitin 2050 edhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pritet të ndjekin të njëjtin trend.”
Megjithëse nevoja për kujdes po rritet, mbulimi me shërbime dhe përfitime formale të kujdesit afatgjatë mbetet shumë i kufizuar në të gjithë rajonin. Kjo e lë barrën kryesore mbi familjet, të cilat shpesh detyrohen të sigurojnë vetë kujdesin për të moshuarit.
Raporti nënvizon se vetëm një pjesë e vogël e të moshuarve përfitojnë shërbime të financuara publikisht, në nivele shumë më të ulëta se ato të Bashkimit Europian.
Banka Botërore thekson se mbështetja publike në rajon është e përqendruar kryesisht te kujdesi rezidencial dhe pagesat në para për kujdestarët informalë. Ndërkohë, shërbimet në shtëpi dhe ato me bazë komunitare mbeten ende të pazhvilluara, shpesh të varura nga donatorë ose organizata joqeveritare, pa u kthyer në pjesë të qëndrueshme të sistemeve publike.








