Nga Alba Kepi
U mbushën dy vite që nga ideja për ujësjellësin Shqipëri–Itali, një projekt që premton ujë të freskët për Puglinë dhe mundësi investimesh për Shqipërinë. Më 31 maj 2023, Tirana miratoi projektin strategjik për të ndërtuar një tubacion që lidh Gjirokastrën me Salenton: 85 km nën det dhe 120 km në tokë, deri në thellësi 850 metra. Investimi i parashikuar: 1 miliard euro. Kapaciteti: 150 milion metra kub ujë në vit drejt Italisë.
Për Italinë, projekti është një zgjidhje strategjike për bujqësinë dhe turizmin. Për Shqipërinë, do të thotë një rol i ri: furnizues i ujit për fqinjët. Ideja u hodh qysh më 2022 nga presidenti i Confindustria Puglia, Sergio Fontana, dhe më 2023 u konfirmua nga Rajoni i Puglias. Presidenti Michele Emiliano deklaronte se ‘Shqipëria hedh në det ujë të mirë dhe ka interes ta shesë. Për ne, uji do të thotë të rrisim bujqësinë dhe turizmin, dhe të japim një të ardhme puljezëve.’
Sot, qeveria shqiptare vendos të krijojë një operator kombëtar të ujit, duke centralizuar rrjetin nën një kompani shtetërore. Ky entitet do të jetë i vetmi që mund të negociojë me Italinë dhe institucionet financiare ndërkombëtare, duke garantuar kontroll të plotë mbi sasinë dhe çmimin e ujit që do të eksportohet.
Centralizimi ka përfitime për projektin: redukton fragmentimin, lehtëson negocimin e kontratave dhe mund të shpejtojë autorizimet. Por për qytetarët, kjo do të thotë pak ose aspak transparencë. Kur uji transformohet nga pasuri publike në mall tregtar, vendimet për sasinë dhe çmimin nuk reflektojnë më interesin kombëtar, por politik dhe ekonomik. Komuniteti mbetet shfrytëzues pasiv, pa mekanizma realë për të influencuar politikat e ujit.
Ndërkohë, në vitin 2025, shqiptarët ende përballen me rubineta bosh. Humbjet në rrjet arrijnë mbi 60%, furnizimi me orar mbetet normë, dhe familjet paguajnë çdo ditë për depozita plastike dhe autobotë privatë. Tre mandate radhazi, qeveria nuk ka siguruar shërbimin më elementar.
Pyetja mbetet; pse nuk ka një projekt për të garantuar ujë 24 orë për shqiptarët, ndërsa centralizohet pasuria kombëtare e negociohet eksporti masiv drejt Italisë?