Sot zhvillohet tentativa e 44-të për të konstituar Kuvendin e Kosovës, por pritshmëritë për një zgjidhje mbeten minimale, duke pasur parasysh dështimet e njëpasnjëshme në seancat e mëparshme.
Kuvendi nuk ka arritur ende të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët, duke e lënë procesin e formimit në ngërç të thelluar politik.
Në seancën e fundit, e cila u shty për shkak të një alarmi të rremë për bombë, dështoi përsëri miratimi i komisionit për votimin e fshehtë, një hap i domosdoshëm për të proceduar me zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit dhe ka insistuar që votimi të zhvillohet në mënyrë të fshehtë. Megjithatë, katër partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Nisma, refuzojnë të japin dritën jeshile për këtë proces, duke mos propozuar anëtarë për komisionin dhe duke akuzuar Vetëvendosjen për mungesë dialogu dhe vullneti për konsensus.
Ngërçi i vazhdueshëm ka shkaktuar shqetësim të gjerë, si brenda vendit, ashtu edhe te partnerët ndërkombëtarë, që ndjekin me vëmendje zhvillimet institucionale në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje për përgjegjësi nga ana e deputetëve dhe ka paralajmëruar se, nëse nuk arrihet konstituimi i Kuvendit në një afat të shpejtë, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Vetë Kushtetuesja ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga aktgjykimi i 26 qershorit, megjithëse nuk ka përcaktuar saktësisht çfarë pasojash do të ketë në rast të mosrespektimit të këtij afati.