Zjarri në landfillin e Elbasanit vijon të jetë aktiv për të tretën ditë radhazi, duke shkaktuar ndotje të rëndë të ajrit dhe rrezik për shëndetin e banorëve përreth.
Edhe pse flakët janë shuar në sipërfaqe, zjarri ende digjet në thellësi të masës së mbetjeve, duke lëshuar shtëllunga tymi të dendur, veçanërisht në pjesën perëndimore të fushës së mbetjeve.
Sipas të dhënave nga vendngjarja, mbi sipërfaqe janë hedhur rreth 10 mijë metra kub dhera, me qëllim izolimin e flakëve në shtresat e sipërme.
Landfilli i Elbasanit është prej vitesh një vatër problematike për ndotjen mjedisore. Rreth 50 mijë ton mbetje depozitohen çdo vit nga 7 bashki të qarkut, ndërkohë që inceneratori i ndërtuar në këtë zonë është jashtë funksionit.
Menaxhimi i fushës së mbetjeve është në duart e ndërmarrjes publike “Eco-Elb”, e cila nuk ka dalë ende me një reagim zyrtar për situatën. Shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, nëse bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme apo për një incident të shkaktuar nga temperaturat e larta dhe tejmbushja e mbetjeve.
Policia e Elbasanit ka nisur hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim përcaktimin e origjinës së zjarrit dhe identifikimin e përgjegjësve të mundshëm.
Kujtojmë se inceneratori i Elbasanit është i vetmi impiant i përfunduar nga tri kontratat e mëdha të partneritetit publik-privat, që janë në hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, bashkë me zyrtarë të tjerë, është dënuar nga GJKKO për përfshirjen në aferën e inceneratorëve.
Djegia e mbetjeve në ambientet e hapura nuk është vetëm një fenomen sezonal, por pasqyron dështimin sistematik të menaxhimit të mbetjeve në vend.
Ligji nr. 10 463/2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ngarkon njësitë vendore me përgjegjësinë për mbledhjen dhe menaxhimin e sigurt të mbetjeve, përfshirë edhe sigurimin e vendgrumbullimeve.
Megjithatë, në praktikë asnjë bashki nuk është ndëshkuar për zjarret që ndotin ajrin dhe asnjë drejtues lokal nuk është bërë përgjegjës për dëmet ndaj shëndetit publik.
Kodi Penal parashikon deri në 7 vjet burg për ndotje të rëndë mjedisore, por këto dispozita mbeten të paaplikuara në realitet.
Në rastet kur zjarret janë të qëllimshme, ato përbëjnë krim mjedisor, ndërsa në rastet e paaftësisë apo mosveprimit tregojnë papërgjegjshmëri të plotë institucionale. Në të dyja rastet, autorët duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi.
Përgjegjësia nuk është vetëm në nivel lokal. Ministria e Mjedisit ka një rol të rëndësishëm në monitorimin dhe ndërhyrjen për të parandaluar këto fenomene, por deri tani nuk ka ndërmarrë masa efektive. Zjarret përsëriten çdo vit, tymi mbulon qytete të tëra dhe nuk ka mekanizma të aktivizuar për të adresuar këtë krizë.
Kjo situatë është një pasqyrë e qartë e një sistemi që funksionon në mënyrë të jashtëligjshme, duke lejuar djegien dhe deponimin e pakontrolluar të mbetjeve, pa transparencë dhe pa përgjegjësi. Ndëshkimi i shkelësve mungon, ndërsa kriza mjedisore dhe shëndetësore përkeqësohet çdo ditë.