Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar këtë të martë në zonën e njohur si “Rruga e Teqes Mengel”, në Elbasan. Flakët përfshinë fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane, në afërsi të inceneratorit të Elbasanit.
Për shkak të temperaturave të larta, erës dhe bimësisë së thatë, zjarri u përhap shpejt, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe kontrollet e forcave zjarrfikëse.
Aktualisht, zjarrfikësit po përpiqen të parandalojnë përhapjen e flakëve dhe të mbrojnë banesat që ndodhen pranë zonës së rrezikuar. Deri tani, nuk ka raportime për persona të lënduar, por dëmet janë të konsiderueshme në sipërfaqen pyjore.
Bashkë me tymin, qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth. Era dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar përhapjen e tymit dhe rrezikun për shëndetin publik.
Çdo vit, tymi i dëmshëm mbulon qytetin, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi, as penale dhe as politike.
Ligji nr. 10 463, i vitit 2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e vendos përgjegjësinë e plotë për menaxhimin dhe sigurinë e fushave të mbetjeve tek njësitë e qeverisjes vendore. Sipas nenit 12, bashkitë duhet të kujdesen për grumbullimin, transportin, trajtimin dhe ruajtjen e mbetjeve.
Çdo zjarr në landfill apo tym që ndot ajrin përbën shkelje të detyrimeve ligjore, duke çuar në pasoja që fillojnë nga gjobat administrative e deri te ndjekjet penale për drejtuesit lokalë, veçanërisht në rastet kur ndotja apo zjarret shkaktojnë rrezik për shëndetin apo dëme mjedisore.
Por përgjegjësia nuk është vetëm lokale. Qeveria qendrore, përmes Ministrisë së Mjedisit, duhet të monitorojë zbatimin e politikave të menaxhimit të mbetjeve, të ofrojë mbështetje teknike dhe financiare për bashkitë dhe të ndërhyjë në rastet e shkeljeve të përsëritura. Faktet tregojnë se përballë këtij problemi të përsëritur, ka një bashkëpërgjegjësi institucionale që e lejon situatën të vazhdojë.
Ligji ndalon në mënyrë të prerë djegien e mbetjeve pa autorizim dhe jashtë kushteve të kontrolluara, duke e klasifikuar këtë veprim si shkelje administrative me pasoja penale. Ndëshkimet përfshijnë masa administrative, gjoba, shkarkime, apo ndjekje penale, sidomos kur ndotja shkakton rrezik serioz për shëndetin publik.
Në vend që institucionet të reagojnë me ndëshkime, transparencë dhe ndërhyrje reale, qytetet shqiptare po e përjetojnë çdo verë si një cikël zjarresh, tymi dhe mashtrimi.
Nëse nuk ka përgjegjësi ligjore për këto krime mjedisore, atëherë fjala “qeverisje” humb kuptimin dhe qytetarët mbeten viktimat e një shteti që i ka braktisur.