Disa nga personat e akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, janë parë në publik në Beograd më 28 qershor, gjatë një proteste të organizuar në Parkun e Pionierëve, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Pamjet janë verifikuar nga Radio Evropa e Lirë përmes teknologjisë së njohjes së fytyrës, duke identifikuar mes tyre edhe Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, një nga 45 të akuzuarit nga autoritetet kosovare.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, autoritetet serbe nuk kanë reaguar dhe nuk kanë dhënë asnjë informacion lidhur me praninë e të kërkuarve nga Interpoli në territorin e tyre.
REL raportoi se pamjet nga rrjetet sociale tregojnë një grup personash të veshur me këmisha jeshile që qëndronin pranë Presidencës së Serbisë dhe forcave policore, në një zonë që është nën mbrojtje të shtuar prej muajsh.
Ndërkaq, kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se personat e përfshirë në sulm po lëvizin lirshëm në Serbi dhe madje qëndrojnë më afër presidentit Vuçiq sesa truprojat e tij.
“Kjo dëshmon qartë se kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se sulmi në Banjskë nuk ishte akt i izoluar, por i organizuar dhe i mbështetur nga Beogradi,” u shpreh Kurti.
Protesta të dyfishta dhe prani e figurave të errëta
Pamjet nga protesta e 28 qershorit në Beograd tregojnë prani të personave të njohur për lidhjet e tyre me grupe paramilitare dhe organizata të ndaluara. Përveç Vuçetiqit, të dyshuarit qëndronin pranë kampit të ngritur nga mbështetës të qeverisë në Parkun e Pionierëve, ku zhvilloheshin edhe aktivitete simbolike si “mbrëmje letrare”.
Në këtë kamp ishin të pranishëm edhe figura si Dragosllav Bokan, ish-udhëheqës i grupit paramilitar “Beli Orlovi”dhe Goran Radosavleviq Guri, një ish-gjeneral policie i lidhur me vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi në vitin 1999.
Në të njëjtën ditë, në anën tjetër të qytetit, mijëra qytetarë protestonin për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe kundër pushtetit aktual. Protestuesit e opozitës akuzuan regjimin për represion dhe përfshirje në skandale që nga shembja fatale në stacionin hekurudhor të Novi Sadit e deri te manipulimi me ligjin dhe drejtësinë.
Dosja e Banjskës dhe të akuzuarit në arrati
Nga 45 të akuzuarit për sulmin në Banjskë, vetëm tre, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, ndodhen aktualisht në paraburgim në Kosovë dhe po përballen me proces gjyqësor. Pjesa tjetër, përfshirë Millan Radoiçiqin, të cilin aktakuza e cilëson si drejtues të grupit terrorist, ndodhen në arrati, shumica në Serbi. Për ta është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar nga Interpol, me kërkesë të Kosovës që nga dhjetori 2023.
Sipas aktakuzës, grupi kishte hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme përmes rrugëve malore dhe ishte pajisur me armë të rënda, mjete të blinduara, eksplozivë dhe uniforma ushtarake.
Ata kishin për qëllim të destabilizonin veriun e Kosovës dhe ta shkëpusnin atë nga territori i Republikës. Radoiçiq akuzohet gjithashtu për financimin e terrorizmit dhe pastrim parash.
Sulmi në Banjskë u përshkrua si një përballje e ashpër e armatosur që zgjati me orë të tëra, ku humbi jetën polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur. Tre sulmues serbë u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Serbia nën presion ndërkombëtar
Deri tani, Serbia nuk ka marrë masa për arrestimin ose ekstradimin e personave të akuzuar, pavarësisht urdhër-arresteve të lëshuara. Pyetjet e dërguara nga REL në drejtim të Ministrisë së Brendshme të Serbisë kanë mbetur pa përgjigje.
Ndërkohë, autoritetet kosovare kërkojnë reagim të qartë dhe veprim konkret nga komuniteti ndërkombëtar për ekstradimin e të dyshuarve dhe ndalimin e mbështetjes ndaj grupeve që cenojnë sigurinë e Kosovës.