Tre vite pas nisjes së luftës në Ukrainë, Marina Genkina, një nënë 40-vjeçare, ka ndërtuar një jetë të re në Shqipëri.
Por plagët e shpërthimeve, frikës dhe ikjes së papritur janë ende të freskëta. Ajo rrëfen për Report Tv se edhe pse është integruar dhe punon në sektorin e shitblerjeve në Tiranë, kujtimet nga lufta nuk e lënë.
“Te gjithë jetën do të jetë me ne. Edhe unë edhe djali, kur dëgjojmë fishekzjarrët në 12, nuk mundemi as ta shohim as ta dëgjojmë. Trembemi. E kuptoj që nuk është luftë por ky është panik nga bombardimet”, thotë Marina.
Kur filluan bombardimet, ajo ishte në shtëpinë e saj në Ukrainë, së bashku me djalin 12-vjeçar.
“Nuk e harroj kurrë se kur filloi lufta, u zgjova në katër të mëngjesit nga zhurmat. Për 40 minuta nuk kishte asnjë informacion. Ne mendonim që ishte thjesht lojë politike. Babi më thoshte: ‘Putini është budalla, por jo aq sa… por në fakt”, shprehet ajo.
Frika u kthye në përditshmëri. Djalin e vogël e çonte çdo pak minuta në bodrum për t’u fshehur nga raketat. Por as aty nuk ndiheshin të sigurt.
“Çdo 5 minuta që dëgjoheshin raketat djali më thoshte mua. Mama, mama, ikim te bodrumi. Por në fakt bodrumi nuk është i sigurt.”
Në atë moment mori vendimin e madh, të largohej nga Ukraina. Rruga deri në Shqipëri zgjati katër ditë.
“E kuptova se kjo mund të marrë shumë kohë. E kuptova se duhet të marr djalin edhe të iki sepse është shumë e rrezikshme. Edhe rruga ime deri në Shqipëri më ka marrë 4 ditë, kur zakonisht duhet 2 orë e gjysmë me avion.”
Në Shqipëri, sfida e radhës ishte integrimi. Marina punon sot në një agjenci imobiliare në Tiranë, por përballja me burokracinë ishte e lodhshme.
“Mund të jetojmë këtu vetëm me pasaportë ukrainase. Por kur fillon punë duhet të marrësh leje qëndrimi. Por mua më ka marrë shumë kohë, s’e di pse kaq gjatë. Ndoshta për shkak të asaj që thonë shqiptarët: ‘Avash, avash’.”
Më e vështira ishte përshtatja për djalin, që nuk pranonte realitetin e ri.
“Sepse ai nuk mund të pranonte se po ndodh kjo lufta. Ka marrë një vit e gjysmë që ai ta pranoi këtë fakt.”
Ndërkohë, vëllai i saj ka mbetur në Ukrainë. Ai është kirurg dhe nuk ka ndalur punën asnjë ditë.
“Ai është kirurg. Ai ka shumë punë. Më shumë se zakonisht. Ai punon për Ukrainën.”
Marina tashmë ka sjellë edhe prindërit në Shqipëri. Ka ndërtuar një jetë të re, e mbështetur nga motra e saj. Por zemra i qëndron ende në vendin që e la pas.
“Me mungon qyteti, aroma… nuk e di. Të gjitha. Kur flasim me familjen, për ne qyteti jonë është gjithmonë më i mirë. Patjetër që na pëlqen këtu, por ne kemi dëshirë që të kthehemi në shtëpi, në Ukrainë.”
Ajo përpiqet të mbajë veten dhe të ecë përpara, megjithëse rrënjët nuk shkulen lehtë. Por, me një buzëqeshje plot kuptim, e mbyll bisedën:
“Tani jam pak tironse.”