Një prej emrave më të dashur të skenës në Elbasan dhe asaj shqiptare, Eduart Çala, është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një boshllëk të ndjeshëm në botën e artit.
Me një karrierë që zgjati mbi pesë dekada, Çala ishte një figurë e përkushtuar e teatrit dhe kinemasë shqiptare, si dhe një frymëzuese për breza të tërë artistësh dhe artdashësish.
I lindur më 19 shtator 1950 në Elbasan, ai kreu studimet në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi, por pasioni për teatrin do ta shoqëronte që në gjimnaz, ku spikati në komedinë “Udha e Zavalinëve”.
Në vitin 1971, u bë pjesë e trupës së Teatrit “Skampa”, ku interpretoi me mjeshtëri në mbi 50 shfaqje, duke prekur një spektër të gjerë rolesh nga protagonistë te karaktere episodike.
Kontributi i tij u zgjerua edhe në ekranin e madh. Ai mori pjesë në disa filma të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare si “Përtej mureve të gurta”, “Një natë Nëntori”, “Partizani i vogël Velo”, “Pranverë e hidhur”, “Tre veta kapërcejnë malin” dhe “Ngjyrat e moshës”, ku edhe në rolet më të vogla, solli një interpretim të natyrshëm dhe të përmbajtur.
Përveç aktrimit, Eduart Çala u shqua edhe si regjisor i Teatrit të Kukullave në Elbasan, ku realizoi dhjetëra shfaqje për fëmijë, duke ndikuar në formimin artistik të brezit të ri.
Ai ishte gjithashtu i pranishëm në shumë aktivitete kulturore, festivale dhe koncerte, ku shpaloste një prani të ngrohtë dhe profesionale.
Për kontributin e tij të spikatur, Çala u nderua me medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1985 dhe me titullin “Mirënjohje e Qytetit” nga Bashkia Elbasan.
Ai vlerësohet si pjesë e brezit të artë të aktorëve elbasanas, përkrah emrave si Demir Hyskja, Shpëtim Shemili, Astrit Cerma e të tjerë.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e ndjeshme për kulturën shqiptare, por vepra dhe kujtimi i tij do të mbeten të gjallë në memorien e artdashësve dhe në historinë e skenës shqiptare.