Pas protestës së mbajtur këtë të mërkurë përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, banorët e fshatit Kaçinar në Mirditë kanë ndërmarrë një hap të mëtejshëm kundërshtues, duke i dërguar një peticion zyrtar Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, me kopje edhe për Kryeministrin Edi Rama.
Në dokumentin e firmosur nga banorë të pesë fshatrave të prekur nga projekti – Arrëz, Kaçinar, Shtuf, Simon dhe Shperdhazë kërkohet pezullimi i menjëhershëm i punimeve për ndërtimin e katër hidrocentraleve mbi lumin Shpërdhazë, si dhe rishikimi i të gjitha koncesioneve të dhëna në këtë zonë, e shpallur monument natyror.
Banorët argumentojnë se ndërtimi i HEC-eve përbën një kërcënim serioz për burimet ujore, jetesën, biodiversitetin dhe ekonominë lokale, ndërsa në peticion përmenden disa shkelje të rënda ligjore dhe proceduriale, mes të cilave:
Mungesa e dëgjesave publike me komunitetin, siç kërkohet nga ligji;
Përdorimi i dokumenteve të falsifikuara me firma banorësh, çështje e referuar në Prokurorinë e Lezhës që prej vitit 2020;
Skadimi i lejes mjedisore të kompanisë “Shperdhaza Energji Sh.p.k.”, për shkak të mosfillimit të punimeve brenda afatit 2-vjeçar;
Ndërtimi në një zonë të mbrojtur natyrore, që bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e mjedisit.
Në deklaratën që shoqëron peticionin, banorët kërkojnë verifikim të plotë të dokumentacionit të kompanisë ndërtuese, si dhe angazhim të strukturave shtetërore për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në terren.
“Populli i Njësisë Administrative Kaçinar, i mbledhur sot, kërkon ndërprerjen e çdo veprimtarie ndërtimore nga kompania dhe rishikimin e të gjitha lejeve të dhëna. Kjo është një thirrje për mbrojtjen e së drejtës themelore për ujë të pastër dhe jetë me dinjitet”, theksohet në peticionin e adresuar qeverisë.
Në fund, banorët paralajmërojnë vijim të rezistencës dhe përshkallëzim të veprimeve qytetare, nëse institucionet nuk marrin masa konkrete për të mbrojtur territorin dhe interesin publik.