Lara Colturi do të vijojë të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, të paktën për sezonin e ardhshëm sportiv.
Me përfundimin e afatit të transferimeve, është mbyllur edhe kapitulli i mundshëm i kalimit të saj në ekipin italian.
Në një intervistë, nëna dhe trajnerja e saj, kampionia olimpike italiane Daniela Ceccarelli, ka zbuluar prapaskenat e kësaj sage që ka zgjatur muaj të tërë, duke sqaruar vendimin për të qëndruar nën flamurin kuqezi edhe për edicionin e ri.
Pjesë nga biseda:
Daniela Ceccarelli: “Po përpiqemi të krijojmë për Larën një ambient sa më të sigurt dhe serioz, dhe që të ketë të gjitha instrumentet e nevojshme për të arritur objektivat. Sigurisht, deri më tani kemi bërë shumë në këto tre vite dhe duam të vazhdojmë me mbështetjen e Federatës Shqiptare, si dhe me mbështetjen tonë teknike – si asistencë profesionale, por edhe si familje për Larën.”
I gjithë muaji prill ishte i mbushur me spekulime për një lëvizje të mundshme të Larës nga Shqipëria drejt Italisë. Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Daniela Ceccarelli: “Ka pasur një dialog mes federatave, asaj shqiptare dhe asaj italiane, por nuk mund t’ju them më tepër detaje. Nga ana jonë, kemi qenë të përqendruar te dialogu me Federatën Shqiptare të Skive, për të evidentuar të gjitha mundësitë e përmirësimit që na duhen për të menaxhuar Larën si atlete të nivelit të lartë.”
Në Lojërat Olimpike të ardhshme, Lara Colturi do të garojë nën ngjyrat kuqezi. Ju e dini mirë çfarë do të thotë Olimpiadë – jeni vetë kampione.
Daniela Ceccarelli: “Sigurisht, për të do të jetë një eksperiencë shumë e bukur, pasi do të jetë hera e parë dhe ajo është ende shumë e re. Është një eksperiencë ndryshe nga Kupa e Botës, për shkak të ambientit olimpik dhe vëmendjes së madhe. Na duhet të ruajmë një ambient serioz, pa e mbingarkuar me pritshmëri. Unë, për shembull, fitova Olimpiadën në moshën 27-vjeçare. Ajo do të jetë në Olimpiadë në moshën 19-vjeçare, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Cortina. Sigurisht që është një përvojë shumë e rëndësishme, por duhet ta marrë edhe pak sportivisht. Nuk besoj se do të bëjë më shumë se një vit më parë. Në këto tre vite, gjatë të cilëve ka pasur edhe një dëmtim, ka qenë një periudhë shumë impenjative. Tani duhet të përmirësojmë përgatitjet cilësore dhe të menaxhojmë më mirë distancat në udhëtime.”
A është Lara nën presionin e historisë suaj si kampione olimpike, për ta arritur apo tejkaluar atë?
Daniela Ceccarelli: “Janë histori shumë të ndryshme, e imja dhe e saj. Unë jam nga Roma, dhe nuk kam pasur ndonjë mal afër, kam filluar vonë. Ajo ka lindur praktikisht në borë, afër Torinos, dhe ka filluar të skijojë kur unë ende nuk merresha me këtë sport. Që në moshën 13 muajshe ka qenë me mua në Kupën e Botës. Siç thotë edhe vetë Lara – dhe më pëlqen shumë kjo që thotë – ‘Mami ka qenë një sportiste shumë e mirë, por unë kam historinë time për të shkruar.’ Nuk mund të them nëse do të jetë më e mirë apo më pak e mirë – thjesht do të jetë ndryshe. Ajo ka ngjitur tre podiume në Kupën e Botës në moshën 18-vjeçare, që janë pothuajse sa kam ngjitur unë në 15 vite karrierë. Pra, ka një ritëm tjetër. Për të do të jetë hera e parë në Cortina, një pistë shumë e shpejtë, të cilën do ta testojmë gjatë dimrit, pasi do të jemi aty afër.”
Po fakti që një italiane garon për një flamur tjetër në një Olimpiadë që zhvillohet në Itali?
Daniela Ceccarelli: “Kjo do të varet shumë nga ne. Lara është një vajzë shumë serioze dhe ky brez i ri i përjeton gjërat ndryshe nga gjeneratat e mëparshme. Ata kanë një raport më të fokusuar me punën. Lara skijon sepse i pëlqen dhe është detyra jonë që, përmes kësaj kënqësie, të ndërtojmë pritshmëritë.”
Pra, tani jeni thjesht nëna e Larës, më shumë sesa Daniela Ceccarelli?
Daniela Ceccarelli: “Tani jam nëna e Larës. Edhe në rrugë më ndalojnë dhe më thonë: ‘Ju jeni mamaja e Larës’. Dhe kjo është diçka shumë e bukur, sepse është një kapitull i ri në jetën tonë.”