Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për çështjen “Partizani” është shtyrë për në 23 prill, ora 13:00, për shkak të mungesës së një avokati që paraqiti raport shëndetësor.
Avokati Genc Gjokutaj, i cili përfaqëson një nga të pandehurit, deklaroi jashtë ambienteve të GJKKO-së se mbrojtja ka kërkuar pushimin e çështjes për mungesë të faktit penal.
Ai denoncoi parregullsi serioze në dosjen hetimore, si përfshirja e ekspertëve të palicensuar, aktet e pakomunikuara dhe përdorimi i firmave të dyshuara si të falsifikuara.
“Këto elementë i kemi paraqitur, por prokurori i dëgjon dhe hesht,” tha Gjokutaj, duke theksuar se procesi është i njëanshëm dhe selektiv.
Sipas tij, ndërsa Sali Berisha është në bankën e të akuzuarve, kryeministri Edi Rama nuk është thirrur as për të dëshmuar, ndonëse, sipas Gjokutajt, është “autori i ndryshimit të destinacionit të truallit të klubit Partizani”.
Ai theksoi se ndonëse kanë kërkuar që Rama të thirret për dëshmi, kjo nuk është e mundur në seancën paraprake.
Çështja në fjalë ka të bëjë me privatizimin e ish-kompleksit sportiv të klubit Partizani dhe përfshin emra të njohur si lideri i opozitës Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi.
Malltezi ndodhet në “arrest shtëpie” që prej nëntorit 2023, nën akuzën për korrupsion pasiv në bashkëpunim, masë e cila u caktua nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi pas ndryshimit të vendimit të mëparshëm që e mbante në burg.
Malltezi ka hedhur poshtë akuzat e SPAK, duke pretenduar se hetimi nisi mbi një kallëzim të rremë të Taulant Ballës. Ai akuzon Prokurorinë e Posaçme për një hetim të gjatë dhe të paproduktiv ndaj Berishës, që sipas tij nuk gjeti asnjë shkelje ligjore.
Ai theksoi gjithashtu se pretendimi fillestar se toka ishte shtetërore u rrëzua, ndërsa akuzat për ndryshimin e destinacionit të truallit i atribuohen Edi Ramës, në kohën kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tiranës, në vitet 2004 dhe 2006.