Siguria ushqimore në Shqipëri është tronditur sërish nga një skandal i rëndë që përfshin konsumimin e qumështit të ndotur me aflatoksinë, një substancë kancerogjene me efekte serioze në shëndetin e njeriut.
Gjatë periudhës janar–prill 2025, qytetarët shqiptarë kanë konsumuar qumësht që përmbante nivele të ndaluara të kësaj toksine, gjë që është konfirmuar zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit .
Investigimi u bë publik nga “Piranjat.al”, që më 29 mars i dërguan një kërkesë zyrtare Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ky institucion konfirmoi se në 8 nga 26 mostra të testuara në periudhën janar-prill 2025, janë zbuluar nivele të aflatoksinës M1 përtej kufijve të lejuar.
Përveç kësaj, edhe në vitin 2024 janë konstatuar dy mostra jokonforme. Nivelet e përfshira shkonin deri në 0.882 µg/kg, ndërkohë që çdo tejkalim i normave përbën rrezik për konsumatorin.
Çfarë është aflatoksina?
Aflatoksina është një toksinë natyrore që prodhohet nga myqet që rriten në drithëra si misri dhe gruri. Kjo substancë kalon në trupin e lopëve përmes ushqimit të kontaminuar dhe më pas sekretohet në qumështin që ato prodhojnë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aflatoksina bën pjesë në grupin e substancave më kancerogjene për njeriun, duke rritur rrezikun për probleme në mëlçi, veshka dhe sistemin
AKU nuk ka zbuluar emrat e kompanive që kanë shpërndarë qumështin e kontaminuar, duke mbajtur të fshehtë informacionin për produktet që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Masa të marra kanë përfshirë vetëm bllokimin dhe asgjësimin e produkteve të kontaminuara, si dhe gjurmimin deri te prodhuesit.
Ky rast i shtohet një zinxhiri të gjatë skandalesh në fushën e sigurisë ushqimore në Shqipëri si mishi pules me salmonelë, mandarina dhe luleshtrydhe me pesticide, 13.2 tonë akullore me oksid etileni, mish i kontaminuar, peshk me parazitë, e deri te miell me minj.
Institucionet përkatëse si Ministria e Bujqësisë dhe AKU vazhdojnë të heshtin, ndërkohë që qytetarët mbeten të pambrojtur.
Në një situatë ku shteti nuk garanton kontroll të sigurisë ushqimore, qytetarët kanë vetëm një zgjidhje: të organizohen, të reagojnë dhe të bojkotojnë kompanitë që shkelin rregullat.