Ndërsa tregu global i punës po transformohet me një ritëm të jashtëzakonshëm, i shtyrë përpara nga teknologji si inteligjenca artificiale gjenerative (GenAI), kompanitë dhe profesionistët po përballen me një domosdoshmëri të re: zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive.
Raporti më i fundit i Udemy, “2025 Global Learning & Skills Trends”, thekson se vetëm ata që investojnë në aftësi të reja dhe përshtaten me teknologjinë do të jenë në gjendje të qëndrojnë konkurrues.
Edhe pse Shqipëria nuk përmendet drejtpërdrejt në këtë raport, mesazhet që ai përcjell janë më të rëndësishme se kurrë për vendin tonë. Me një fuqi punëtore të re, por shpesh të paformuar sipas kërkesave të tregut, Shqipëria përballet me sfidën madhore të përgatitjes për një të ardhme të dominuar nga transformimi dixhital, kërkesa për njohuri teknike dhe fleksibilitet profesional.
Në këtë kontekst, vendi ka nisur hapa për përmirësimin e sistemit të arsimit dhe trajnimit profesional (VET), me synimin për t’u përshtatur me zhvillimet teknologjike dhe nevojat e tregut të punës. Programi i Zhvillimit të Aftësive për Punësim 2023–2027, i mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ka si qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e lidhjeve më të ngushta mes arsimit profesional dhe sektorit privat.
Ky program përfshin reforma në kuadër ligjor, zhvillimin e mekanizmave të financimit për zhvillimin e aftësive dhe nxitjen e bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe sektorit privat, për të siguruar që programet e trajnimit të përputhen me nevojat reale të tregut.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Një raport i fundit i OECD tregon se Shqipëria renditet e fundit në rajon përsa i përket aftësive dixhitale: vetëm 23.8% e individëve zotërojnë aftësi bazë apo më të avancuara, krahasuar me një mesatare të BE-së prej 53.9%. Kjo e bën urgjente integrimin e aftësive dixhitale në kurrikulat arsimore dhe ofrimin e trajnimeve të specializuara për të rritur konkurrueshmërinë e fuqisë punëtore shqiptare.
Për të adresuar këtë, një raport tjetër thekson nevojën për rishikimin e kurrikulave të arsimit profesional në Shqipëri për të përfshirë teknologjitë STEM dhe për të krijuar lidhje më të forta me sektorin privat. Kjo do të ndihmojë që të rinjtë të jenë më të përgatitur për tregun e punës, veçanërisht në sektorët dixhitalë dhe teknologjikë.