Ndryshon udhëzimi për zbatimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Sipas ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, për mbajtjen e tatimit në burim janë edhe pagesat në honorare.
Në udhëzimin e ndryshuar i botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se do të konsiderohen “honorare” dhe për to duhet të mbahet tatimi në burim, pagesat për përdorimin ose të drejtën e përdorimit të një aktivi jomaterial dhe përfshijnë dy kategori.
Kategoria e parë që do të përfshihet do të jetë për përdorimin ose të drejtën për të përdorur një të drejtë autori të veprës letrare, artistike ose shkencore, duke përfshirë filmat ose regjistrimet video ose audio, pavarësisht nëse vepra është në format elektronik ose ndryshe. Së dyti, përdorimin ose të drejtën për të përdorur një patentë, licencë, shpikje, markë tregtare, dizajn ose model, plan, formulë ose proces sekret, ose pronë apo të drejtë tjetër të ngjashme.
Honorarët në fushën e teknologjisë së informacionit, do të konsiderohet pagesë për mbajtjen e tatimit në burim kur një kompani apo organizatë merr për dhënien e së drejtës së përdorimit të një teknologjie software.
Udhëzimi:
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN E PËRGJITHSHËM NR. 26, DATË 8.9.2023, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT” Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të pikës 2, të nenit 70, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat’’, të ndryshuar, ministri i Financave, UDHËZON: Në udhëzimin e përgjithshëm të ministrit të Financave nr. 26, datë 8.9.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Pas pikës 3.4, shtohen pikat 3.5, 3.6, 3.7, 3.8, me përmbajtje si më poshtë:
“3.5 Termi “honorar” lidhet me të drejtat ose pronën që përbëjnë format e ndryshme të pronësisë letrare dhe artistike, elementet e pronësisë intelektuale dhe informacionet në lidhje me përvojën industriale, tregtare ose shkencore, patentat, licencat, shpikjet, markat tregtare etj.
Ky term zbatohet për pagesat për përdorimin ose të drejtën për të përdorur, të drejtat e llojit të përmendura më sipër dhe i referohet ekzistencës së një aktivi jomaterial, i cili, në përgjithësi, është i regjistruar në pasqyrat financiare në rastin e një entiteti, është i regjistruar në një regjistër të posaçëm sipas legjislacionit në fuqi të fushës përkatëse, në rastin e një personi fizik, ose në raste të veçanta mund të mos jetë i regjistruar.
Në këtë kuptim, në fushën e biznesit dhe të drejtave të autorit honorari përfshin një shpërblim ose pagesë që një person, fizik apo juridik, merr për përdorimin nga të tretët të një prone intelektuale ose të së drejtës së autorit që i përket këtij personi fizik apo juridik. Kur pagesat bëhen për tjetërsimin e plotë të pronësisë të çdo elementi të përmendur në përkufizimin e termit “honorar”, atëherë nuk kemi të bëjmë me të drejta përdorimi dhe për rrjedhojë ato nuk mund të konsiderohen honorar.
Sipas përkufizimit në nenin 3, pika 21 të ligjit, “honorarë” janë pagesat për përdorimin ose të drejtën e përdorimit të një aktivi jomaterial dhe përfshijnë sa më poshtë: a) Përdorimin ose të drejtën për të përdorur një të drejtë autori të veprës letrare, artistike ose shkencore, duke përfshirë filmat ose regjistrimet video ose audio, pavarësisht nëse vepra është në format elektronik ose ndryshe. Parimi kryesor në klasifikimin si pagesa për të drejtën e autorit është që personi blerës i së drejtës gëzon të drejtën e botimit, publikimit, shumëfishimit, pra gëzon të drejtën e përdorimit për qëllime të biznesit të tij të një vepre, filmi, regjistrimi etj., të cilat përdoren nga blerësi për biznes.
Shembull. Një shkrimtar shkruan një libër artistik dhe i jep shtëpisë botuese “T” të drejtën e botimit dhe shpërndarjes së librit. Pagesat që shtëpia botuese “T” i bën shkrimtarit për këtë të drejtë konsiderohen “honorarë” dhe për to duhet të mbahet tatimi në burim. Pagesat që shtëpia botuese “T” merr nga libraritë për librat që u ka shitur apo nga klientët nëse i shet vetë librat, janë të ardhura biznesi për shtëpinë botuese dhe për to nuk mbahet tatim në burim.
b)Përdorimin ose të drejtën për të përdorur një patentë, licencë, shpikje, markë tregtare, dizajn ose model, plan, formulë ose proces sekret, ose pronë apo të drejtë tjetër të ngjashme. Edhe në këto raste që lidhen me përvojën industriale, tregtare ose shkencore, produkt i të cilave janë patentat, licencat, shpikjet, markat e regjistruara etj., sa më lart, parimi kryesor që një pagesë të kategorizohet si pagesë honorari lidhet me përdorimin ose të drejtën e dhënë për të përdorur këto lloj asetesh të paprekshme.
Shembull. Një laborator studimor zbulon formulën e prodhimit të një vaksine. Laboratori e regjistron këtë të drejtë autori (patentë) në emrin e tij dhe autorizon një kompani prodhimi farmaceutik për ta prodhuar dhe shpërndarë vaksinën. Në këtë rast, pagesat që kompania e prodhimit farmaceutik i bën laboratorit studimor konsiderohen “honorarë” dhe për to duhet të mbahet tatimi në burim. P.sh. Kompania farmaceutike prodhon dhe shet 1 milion vaksina dhe i paguan honorar laboratorit, p.sh. 5 euro për çdo vaksinë të shitur. Kjo pagesë karakterizohet si honorar. Pra, pagesa që përdoruesi i bën pronarit të patentës, markës tregtare etj., sipas kontratës, është honorar dhe jo blerja e mallit apo shërbimit nga konsumatori final, qoftë ky konsumator individ apo biznes.
Në fushën e teknologjisë së informacionit, termi “honorar” përdoret për të përshkruar një pagesë që një person, kompani apo organizatë merr për dhënien e së drejtës së përdorimit të një teknologjie software. Një lloj tjetër transaksioni, që përfshin transferimin e software-it kompjuterik, është rasti kur një shtëpi software-sh ose programues kompjuteri, pranon të japë informacion rreth ideve dhe parimeve, që qëndrojnë në themel të programit, të tilla si: logjika, algoritmet, gjuhët ose teknikat e programimit. Marrëveshjet ndërmjet një mbajtësi të së drejtës të autorit të software-it dhe një ndërmjetësi të shpërndarjes shpesh i japin ndërmjetësit të shpërndarjes të drejtën për të shpërndarë kopje të software-it në media ose në mënyrë elektronike, pa të drejtën për ta riprodhuar atë software. Në transaksione të tilla, shpërndarësit paguajnë vetëm për blerjen e kopjeve të software-it dhe jo për të shfrytëzuar të drejtat e autorit të software-it, dhe për rrjedhojë pagesat në këto lloj transaksionesh do të duhet të trajtohen si fitime nga biznesi dhe jo si honorarë. Pagesat për software-ët mund të bëhen edhe sipas kontratave të përziera.
Shembuj të kontratave të tilla përfshijnë shitjet e pajisjeve kompjuterike me software (programe) të integruar, si dhe dhënia e së drejtës për të përdorur software (programe) të kombinuar me ofrimin e shërbimeve. Mënyra e përshtatshme për të vepruar me një kontratë të përzier është, në parim, që shuma totale që duhet të paguhet sipas një kontrate, të zbërthehet në bazë të informacionit të përfshirë në kontratë dhe të paguhet tatimi bazuar në specifikën e secilës pjesë të kontratës së përzier;
c) Marrjen ose të drejtën për të marrë çdo imazh ose tingull vizual ose të dyja të transmetuara me satelit, kabllo, fibër optike ose teknologji të ngjashme në lidhje me transmetimin televiziv, radio ose në internet. Në fushën e transmetimeve televizive, “honorari” është një shpërblim ose pagesë që një person, kompani ose pronar i të drejtave përfiton për përdorimin e një programi televiziv, filmi apo përmbajtjes së ngjashme. Kjo pagesë mund të përfshijë të ardhura nga transmetimet televizive transmetime në rrjetet kabllore ose satelitore, platformat streaming ose licencat e tjera të përdorimit të përmbajtjes. Është një mekanizëm që pronarët e të drejtave të autorit dhe krijuesit të përfitojnë nga përdorimi i përmbajtjes së tyre nga media. Shuma e pagesës së honorarit mund të përcaktohen nga marrëveshjet kontraktuale dhe standardet e industrisë.
ç) Përdorimin ose të drejtën për të përdorur informacione në lidhje me përvojën industriale, tregtare ose shkencore. Klasifikimi i pagesave të honorarëve të marra për informacionin në lidhje me përvojën industriale, tregtare ose shkencore, lidhet kryesisht me konceptin e njohurive (“know-how”). Fjalët “pagesa për informacion në lidhje me përvojën industriale, tregtare ose shkencore” përdoren në kontekstin e transferimit të një informacioni të caktuar që nuk është patentuar dhe që përgjithësisht nuk bën pjesë në kategori të tjera të të drejtave të pronësisë intelektuale. Në përgjithësi korrespondon me një informacion të pazbuluar të një natyre industriale, tregtare ose shkencore që rrjedh nga përvoja e mëparshme, e cila ka zbatim praktik në funksionimin e një ndërmarrjeje dhe nga zbulimi i të cilave mund të nxirret një përfitim ekonomik. E rëndësishme është që të identifikohen drejt situatat e kontratave dhe transaksioneve për të dalluar se kur kemi të bëjmë me pagesë “honorari”, për të cilën duhet të mbahet tatim në burim dhe kur kemi të bëjmë me pagesa faturash për blerje shërbimi apo aktivesh të tjera të patrupëzuara, për të cilat nuk mbahet tatim në burim nga paguesi i faturës.
Në rastin e kontratave për ofrimin e shërbimeve, kur furnizuesi merr përsipër të kryejë shërbime të cilat edhe mund të kërkojnë përdorimin nga ai furnizues të njohurive, aftësive dhe ekspertizës së veçantë, por nuk kërkojnë transferimin e njohurive, aftësive ose ekspertizës së tillë të veçantë te tjetri, nuk ka kalim të së drejtës së autorit. Një kontratë për kryerjen e shërbimeve, në shumicën e rasteve, përfshin një nivel shumë më të madh shpenzimesh nga furnizuesi për të përmbushur detyrimet e tij kontraktuale. Për rastet kur ka marrëveshje bilaterale për shmangien e tatimit të dyfishtë, referencë kryesore për trajtimin e honorarëve do të jenë dispozitat e marrëveshjes, si dhe Komentarët përkatës të model marrëveshjeve të OECD-së dhe UN. Në çdo rast duhet të analizohet me kujdes nëse kemi të bëjmë me pagesa për të drejta autori apo pagesa të zakonshme biznesi për blerje mallrash apo shërbimesh. Për këtë qëllim, tatimpaguesit duhet të analizojnë me kujdes termat e kontratës dhe natyrën e transaksionit ndërmjet palëve për të identifikuar natyrën e pagesave dhe të bëjnë ndarjen e tyre në faturat e gjeneruara. Administrata tatimore mund të kërkojë informacione shtesë për ndarjen midis pagesës për licenca software-ike, tarifës së shërbimit apo blerjes së pajisjeve kompjuterike në rastet kur vlera e pagesës për licenca software-ike është anomalisht e ulët krahasuar me pagesat për shërbime.
3.6 Dividend për njësi (aksion/kuotë pjesëmarrjeje në kapital) është shuma e dividendit që përfitohet për çdo njësi aksioni/kuotë pjesëmarrjeje individual/e të një kompanie.
3.7 Dividendi i ndërmjetëm është shpërndarja e fitimeve për aksionarët përpara fundit të vitit fiskal bazuar në pasqyrat financiare paraprake. Dividendë të tillë janë në shuma më të vogla se dividendi vjetor dhe paguhen nga fitimi i vitit bazuar në pasqyrat financiare paraprake dhe diferenca e vlerës së dividendëve kryhet me mbylljen e vitit fiskal dhe mbylljen përfundimtare të pasqyrave financiare.”.
Në pikën 5.5, fjalia e dytë me përmbajtje “Nëse në marrëveshje nuk ka klauzola në lidhje me ndarjen e së drejtës të taksimit të ndonjë kategorie të ardhurash, zbatohet parimi i përgjithshëm i taksimit të një jorezidenti duke mbajtur tatimin në burim.”, hiqet./Monitor