Sot shënohet 8-vjetori i ndarjes nga jeta të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli.
Mjeshtri i letërsisë shqiptare u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare, duke lënë një trashëgimi të pasur letrare me poezi, tregime, romane, drama, skenarë filmash dhe shumë vepra të tjera që do të kujtohen për një kohë të gjatë.
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në Menkulas të Devollit.
Pas studimeve në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg, ai ka punuar si gazetar në “Zëri i popullit” dhe ka shërbyer si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për 30 vite me radhë, Agolli ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Vepra e tij më e njohur është “Nënë Shqipëri”, e cila pasqyron frymën e Luftës Nacionalçlirimtare.
Ai bëri emër edhe me romanet “Komisari Memo” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Vepra e fundit e tij ishte libri me poezi “Prit edhe pak”, kushtuar bashkëshortes Sadije.
Për kontributin e tij, Dritëro Agolli është nderuar me tituj të shumtë, duke përfshirë “Nderi i Kombit” dhe “Qytetar Nderi” të qyteteve të Tiranës, Korçës dhe Gjirokastrës.
Ai gjithashtu ishte anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” dhe ka fituar shumë çmime të rëndësishme në letërsi.
Dritëro Agolli u nda nga jeta më 3 shkurt 2017, në Tiranë, duke lënë një boshllëk të madh në kulturën dhe letërsinë shqipe.