Sistemi që mbron veten duke ricikluar të korruptuarit sapo dëshmoi edhe një herë forcën e tij. Edmond Rrushi, njeriu që la AKU-në në kolaps total pas 15 muajsh skandalesh që rrezikuan jetën e çdo qytetari, nuk do të përballet me drejtësinë. Përkundrazi, burime pranë institucionit konfirmojnë se do të shpërblehet me një vend në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Por më skandalozja është se në vend të tij vjen Olsi Komici, ish-komisioner i KPK-së, një figurë me histori të gjatë akuzash për korrupsion. Komici, i njohur si “komiti i ryshfetit nga Librazhdi”, mban mbi supe 18 kallëzime penale, 13 hetime dhe një gjykim si i pandehur. Sot, në vend që të përballet me drejtësinë, vihet në krye të institucionit që supozohet të mbrojë shëndetin e shqiptarëve.
Rrethi vicioz i pushtetit që mbron veten. Komici, i cili në vitin 2023 ishte nën hetim nga SPAK për fshehje e falsifikim të dhënash personale, përfaqëson modelin perfekt të një sistemi që jo vetëm mbron, por shpërblen ata që shkelin ligjin. Në vend që të përballet me pasojat e shkeljeve të shumta, ai ngrihet në detyrë.
Sa më shumë shkel ligjin, aq më lart ngjitesh në hierarkinë shtetërore! Komici u akuzua për korrupsion gjatë detyrës në KPK. Madje, sipas dokumenteve, kur ishte avokat u denoncua për 20 raste pazaresh me gjyqtarë dhe prokurorë – të njëjtët që më pas, kur u bë komisioner vettingu, nuk i shkarkoi pavarësisht pasurive të pajustifikuara.
Historia e tij e errët përfshin edhe periudhën 2005-2013 kur, si shef juridik dhe Kryetar i Komitetit të Pronave, u përfshi në skandale grabitjeje pronash dhe falsifikim dokumentesh. Por sistemi që mbron veten e shpërbleu – nga akuzat për korrupsion në krye të AKU-së.
Nën drejtimin e Rrushit, AKU u kthye në mburojë të helmuesve, jo të qytetarëve. Vetëm dy javë më parë, teksa Europa kthente mbrapsht ngarkesa të tëra me fruta të helmuara me pesticide të ndaluara, institucioni zgjodhi heshtjen. Kur u zbulua arseniku në ushqimet e foshnjave, AKU priti 14 ditë para se të lajmëronte prindërit – dy javë ku foshnjat shqiptare u ekspozuan ndaj një helmi vdekjeprurës.
Nën “mbikëqyrjen” e tij, KFC shpërndau 1,357 kg mish me salmonelë në treg, nga të cilat AKU arriti të bllokonte vetëm 177 kg. 13.2 ton akullore me oksid etileni, një substancë kancerogjene, u shpërndanë në 15 qytete pa asnjë paralajmërim për qytetarët.
Tjetër skandal ishte ai i Coca-Cola-s. Sipas një raporti të KLSH, kompania “zhduku” 1.8 milion litra pije të skaduara pa ndjekur asnjë procedurë ligjore. Asgjësimi u krye pa praninë e inspektorëve të Mjedisit dhe Tatimeve, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit deklaroi se nuk kishte asnjë praktikë për këto asgjësime. Dyshimet janë të forta se këto pije të skaduara iu rishitën konsumatorëve shqiptarë, ndërsa AKU zgjodhi sërish heshtjen.
Edhe sot, ndërsa Europa tërheq produktet Coca-Cola për nivele të larta klori që shkaktojnë kancer, AKU vazhdon të heshtë. Një milion banorë në Tiranë mbeten nën “mbrojtjen” e një agronomi të vetëm, ndërsa 64% e stafit mbahen në punë pa kualifikimet e nevojshme – një situatë që Rrushi jo vetëm e toleroi, por e kultivoi aktivisht gjatë drejtimit të tij.
Ky është realiteti i një sistemi që mbron veten duke ricikluar të korruptuarit. Dështimi shpërblehet, korrupsioni promovohet dhe shëndeti i qytetarëve bëhet monedhë pazari në duart e atyre që duhet të ishin në qeli, jo në krye të institucioneve. Në Shqipëri, shkeljet të çojnë në parlament ose në pozicione të larta drejtuese.
Ndërsa Komici merr frenat e AKU-së dhe Rrushi përgatitet për karrigen e deputetit, shqiptarët mbeten peng i një sistemi që e konsideron korrupsionin si kualifikim dhe dështimin si meritë. Nesër do të vijnë të tjerë si ata. Do të dështojnë, do të korruptohen, do të ngjiten më lart. Dhe ne do të vazhdojmë të hamë helmin e tyre të përditshëm, të servirur me firmën e shtetit.