Saga e mohimit institucional të dëshmisë së Luis Meçajt mori një dimension të ri. Vetë Kryeministri Edi Rama iu bashkua “frontit” kundër versionit të djalit që mban katër plagë thike në trup, duke deklaruar se “ngjarja është regjistruar në video” dhe se “nuk ka autor tjetër”.
Duke e cilësuar raportimin për ekzistencën e autorit të dytë si “abuzim skandaloz dhe të pabesë ndaj opinionit publik,”, kreu i qeverisë ngriti edhe më lart murin e heshtjes që po ndërtohet rreth kësaj tragjedie. Por deklarata e tij, në vend që të sqarojë situatën, sjell edhe më shumë pikëpyetje.
Nëse ekziston një video që dokumenton ngjarjen “nga A-ja te Z-ja” siç pretendon Kryeministri, pse mbahet e fshehur? Nëse gjithçka është kaq e qartë sa thotë pushteti, pse nuk thirret një ekspert mjeko-ligjor të ekzaminojë plagët e Luisit? Dhe mbi të gjitha, pse nuk i besohet dëshmisë së të vetmit person që ishte aty dhe mori katër plagë thike?
Deklarata e Ramës vjen pas një serie mohimesh institucionale. Filloi Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha duke e quajtur dëshminë e Luisit “tymnajë”. Vazhdoi kryetari i Komisionit të Dezinformimit Erion Braçe që në vend të hetimit të vrasjes, kërkoi hetimin e mediave që raportojnë versionin e të plagosurit.
Ndërkohë, institucionet vazhdojnë të fshehin provat që mund të zbulonin të vërtetën. Policia mban sekret pamjet filmike. Prokuroria refuzon të thërrasë ekspertin mjeko-ligjor. SPAK, me dy zyrtarë në konflikt interesi në këtë çështje, hesht.
Por deklarata e kreut të qeverisë ngre pyetje edhe më shqetësuese: Pse e gjithë makina shtetërore, nga Kryeministri te polici i thjeshtë, është mobilizuar për të hedhur poshtë dëshminë e një djaloshi që mban në trup katër plagë thike? Çfarë e shtyn pushtetin të përdorë të gjitha mekanizmat për të mbyllur një hetim që mund të zbulonte ekzistencën e një autori të dytë?
Kjo nuk është thjesht çështje procedure. Është një familje që humbi djalin, një tjetër që ka djalin të plagosur, dhe një sistem i tërë që ka vendosur t’i mohojë të drejtën për të vërtetën. Është një pushtet që, ashtu si në 21 janar kur nuk i interesonte jeta e protestuesve në bulevard, sot tregon se nuk i intereson as vdekja e një fëmije në oborr shkolle.
Ndërsa zgjedhjet afrojnë dhe pushteti përpiqet të kontrollojë çdo narrativë që mund ta dëmtojë, historia e Luisit dhe Martinit rrezikon të bëhet thjesht një tjetër e vërtetë e varrosur në arkivat e harresës zyrtare.
/gazetareforma.com