Në peizazhin mediatik shqiptar ekzistojnë sot dy realitete paralele. Në njërën anë qëndrojnë gazetarët që jetojnë në vila luksoze në Rolling Hills, Green Coast, Kodra e Diellit apo Liqeni i Thatë, duke bërë pushime të shtrenjta dhe duke shijuar privilegjet e “miqësisë” me pushtetin; Në anën tjetër janë ata si Artan Hoxha, që në shtëpinë e tij ruan “gëzhoja si trofe dhe predha si kërcënim” – dëshmitë e një gazetarie që ende përpiqet të zbulojë të vërtetën.
Bastisja e ditëve të fundit në shtëpinë e Hoxhës nga SPAK ka nxjerrë në dritë realitetin e gazetarisë investigative në Shqipëri. “Unë kam folur dhe flas me të gjithë njerëzit e botës së krimit për të marrë informacion që më çojnë te politikanë më të rëndësishëm të këtij vendi,” pranon Hoxha. Por edhe ai vetë është bërë herë pas here pjesë e lojës, duke u përdorur nga grupet kriminale për të përçuar mesazhet e tyre dhe për të manipuluar opinionin publik sipas interesave të caktuara.
Akuzat e tij për pushtetin janë të rënda. “Në Shqipëri ka vetëm një grup të fuqishëm, kryeministri i vendit… Qeveria komandon krimin e organizuar,” deklaron ai. Hoxha zbuloi se kryebashkiaki i Tiranës, Erion Veliaj, në një emision televiziv më 14 dhjetor 2023 e kishte paralajmëruar për arrestimin e mundshëm, – një paralajmërim që sipas Hoxhës synonte ta detyronte të largohej nga vendi.
Për zgjedhjet e 2021-shit, Hoxha hodhi akuza të forta: “Të gjithë grupet që po goditen tani, kanë qenë në fushatë elektorale të 2021. Fillojnë nga Shkodra dhe mbarojnë në Sarandë. Kanë ndihmuar në mandatin e tretë këtë që është sot.” Veçanërisht për Suel Çelën, ai është i drejtpërdrejtë: “Po të dalë një njeri të thotë që Suel Çela nuk ka ndihmuar Edi Ramën, por Gaz Bardhin, më thoni një njeri.” …Por ku ishin këto denoncime kur po ndodhte manipulimi elektoral?
Megjithatë edhe Hoxha, si shumë kolegë të tij, bie në të njëjtën praktikë problematike – paralajmërimin për zbulime të mëdha pa dhënë emra konkretë. Teksa premton se do të zbulojë përfshirjen e një politikani të nivelit të lartë me krimin e organizuar, ai nuk tregon emrin e tij. Kjo praktikë e përhapur në median shqiptare, ku gazetarët “kërcënojnë” me zbulime por pa dhënë detaje konkrete, minon besueshmërinë e profesionit dhe efektivitetin e gazetarisë investigative. Një gazetari e vërtetë nuk duhet të përdorë informacionin si kartë pazaresh, por ta shërbejë atë në interes të publikut.
Më shqetësuese është tendenca e gazetarëve për të folur vetëm kur hasin personalisht në vështirësi. Oligarkët dhe politikanët e korruptuar përmenden me emra vetëm kur gazetari ndodhet nën presion ligjor ose kërcënim personal. Në kohë normale, media hesht për pasuritë e pajustifikuara, përfitimet e paligjshme dhe lidhjet e dyshimta të pushtetarëve, duke preferuar të ruajë “municione” për kohë të vështira personale – një praktikë që e kthen informacionin nga e mirë publike në mjet shantazhi personal.
Sistemi i kontrollit mediatik në Shqipëri është ndërtuar përmes një rrjeti kompleks interesash. Oligarkët përdorin reklamat si mjet për të blerë heshtjen e mediave, ndërsa qeveria kontrollon fluksin e reklamave shtetërore përmes kompanive të marketingut si ajo e Theodhori Çamit apo e Arbit Veliajt, vëllait të kryebashkiakut. Këto kompani shërbejnë si ndërmjetëse për të kanalizuar paratë publike drejt mediave “miqësore”, duke krijuar një sistem ku vetëcensura është bërë normë – një formë moderne skllavërie ku zinxhirët janë zëvendësuar nga kontratat reklamuese.
Strategjia e oligarkëve për të siguruar ndikim në media ilustrohet nga rasti i vilës që biznesmeni Samir Mane i shiti gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro – një e katërta e vlerës reale prej 300 mijë eurosh. Duke njohur ndikimin e Haxhiut në botën e medias shqiptare, Mane investoi në këtë marrëdhënie që do t’i sillte përfitime mediatike.
Por përtej kontrollit nga lart, media shqiptare është kalbur edhe nga brenda. Një numër gazetarësh janë shndërruar në gjobëvënës profesionistë. Disa targetojnë bizneset e rregullta, të tjerë ata që thyejnë ligjin, por skema është e njëjtë – artikuj kërcënues që përfundojnë me fjalën magjike “vijon…” në fund, një sinjal i qartë për “negociata” të mëtejshme jashtë faqeve të gazetës.
Raporti i Progresit 2024 i Komisionit Europian për Shqipërinë, i publikuar më 31 tetor 2024, vëren se liria e shprehjes mbetet një sfidë serioze në vend. Gazetarët vazhdojnë të përballen me kushte pune problematike, përfshirë kërcënime, frikësime dhe dhunë fizike. Kështu, ata zgjedhin vetë të bëhen pjesë e sistemit, duke heshtur për pasuritë e pajustifikuara të politikanëve. Është një formë e re prostitucioni intelektual, ku nderi profesional shitet në këmbim të rehatisë personale.
Transformimi i medias shqiptare nga “rojtar” në “shërbëtor” të pushtetit është produkt i një procesi të gjatë ku oligarkët kanë luajtur rol kyç. Por ky sistem po fillon të tregojë të çara. Gazetarët e blerë, të kapur në qoshe, po fillojnë të kthehen kundër njëri-tjetrit, duke ekspozuar korrupsionin e kolegëve të tyre.
Kjo luftë brendapërbrenda medias, edhe pse e motivuar nga interesa personale, mund të shërbejë paradoksalisht për të nxjerrë në dritë të vërtetat e fshehura për kaq kohë. Në këtë realitet të ri, transparenca është kthyer në monedhë shkëmbimi, ndërsa publiku mbetet peng i një medie që ka tradhtuar misionin e saj themelor.
/gazetareforma.com