“Me atë që kam parë… ndihem pak i trembur.” Këto fjalë nuk vijnë nga një dëshmitar i rastësishëm, por nga Luisi, 14-vjeçari që mban në trup katër plagë thike dhe në ndërgjegje të vërtetën që askush nuk do ta dëgjojë: “Janë dy autorë me dy thika të ndryshme dhe unë i qëndroj kësaj deklarate deri në fund.”
Njëmbëdhjetë ditë pas tragjedisë ku humbi jetën shoku i tij Martin Cani, Luisi del nga spitali me plagë që ende nuk janë shëruar – në stomak, shpinë dhe mushkëri. Por më e rënda është pesha e një të vërtete që sistemi po përpiqet ta varrosë.
“Kemi të bëjmë vetëm me një autor,” deklaron Policia, duke iu referuar një materiali filmik që “nuk mund ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.” Ndërkohë që dëshmitarët dhe vetë pamjet flasin për tetë persona në vendngjarje. Është fjala e një 14-vjeçari kundër një sistemi të tërë që ka vendosur të mos e dëgjojë.
Më cinike është mungesa e qëllimshme e ekspertizës mjeko-ligjore. Asnjë ekspert nuk është thirrur për të ekzaminuar plagët që mund të provonin ekzistencën e dy thikave të ndryshme. Sistemi po zgjedh të mos shohë provat që mund të konfirmonin dëshminë e Luisit.
“Presim të vijë mjeku ligjor,” thotë babai i Luisit, “të kemi rezultat përfundimtar.” Por si mund të kesh rezultat kur vetë sistemi nuk do të zbulojë të vërtetën? Kur as Policia, as Prokuroria nuk duan të thërrasin ekspertin që mund të konfirmojë ekzistencën e dy autorëve?
Ligji është i qartë – mjeku ligjor duhet të thirret për çdo rast të tillë. Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore e detyron. Neni 485 i Kodit të Procedurës Penale e rregullon. Por çfarë vlere ka ligji kur vetë sistemi ka vendosur të mos shohë?
Ndërkohë, disa media, në vend që të kërkojnë fakte dhe të mbrojnë të drejtën për një hetim të plotë, po bëhen palë me versionin zyrtar. Më keq akoma, një pjesë e qytetarëve po përpiqen të diskreditojnë Luisin për GoFundMe-n që ka hapur për të përballuar shpenzimet mjekësore. Thirrja e tij për ndihmë është tronditëse në thjeshtësinë e saj:
“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj që të shërohem. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju lutemi na ndihmoni.”
Në fakt, Luisi nuk po kërkon asgjë më shumë sesa të drejtat themelore që çdo viktimë duhet të kishte – trajtim mjekësor, mbështetje psikologjike, terapi për traumën. Por në mungesë të shërbimeve sociale shtetërore, të terapistëve dhe psikologëve që duhej të ishin aty për të, ai detyrohet t’i drejtohet publikut për ndihmë.
“Dua t’i jap një mesazh të gjithëve që nuk është e mirë të ziheni sepse sherri sjell shumë pasoja,” thotë Luisi, duke treguar më shumë pjekuri se vetë sistemi që po përpiqet ta heshtë. Ndërsa ai mban përgjegjësi për veprimet e tij, institucionet po bëjnë çmos për të shmangur të tyren.
A mund të presësh drejtësi në një vend ku institucionet punojnë më shumë për të mbuluar krimet sesa për t’i zbardhur ato? Sa të vërteta të tjera si kjo janë varrosur nga i njëjti sistem që sot refuzon të dëgjojë dëshminë e një 14-vjeçari që rrezikoi jetën për të mbrojtur shokun e tij?
/gazetareforma.com